Dy vjet i uniformuar në UÇK në role ushtarake e politike, dy mandate jashtë pushtetit, tre mandate të papërfunduara në pushtet, derisa përfundimisht erdhi krye të shtetit në rolin e pretenduar të ‘unifikuesit’, pozitë të cilën vazhdon ta mbajë edhe sot.

Këto janë 20 vitet njeriut që, i njohur me nofkën e luftës “Gjarpri”, tashmë është politikani më jetëgjatë në skenën kosovare, me lëvizje që shpesh e bënë kundërthënës dhe nxitën debate brenda dhe jashtë Kosovës.

Por, cila ishte  figura e studentit të historisë përgjatë dy dekadave?

I lindur më 24 prill 1968 në Burojë të Skenderajt, Hashim Thaçi, aktivitetin e tij politik e kishte nisur si pjesëtar i një grupacioni ushtarak. Ai në vitet 1998-99 ishte Drejtor Politik i Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së.

Por, Thaci do të bëhej gjerësisht i njohur për publikun, vetëm kur i zgjedhur si përfaqësues politik i UÇK-së do të udhëhiqte delegacionin shqiptar në bisedimet e Rambujesë.

Këtu për herë të parë, shpërfaqet hapur mos-durimi mes tij dhe Ibrahim Rugovës, rivalitet ky që do të zgjaste deri në vdekjen e këtij të fundit, e që do t’i hapte rrugën për pushtetin që nuk e lëshoi më kurrë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, Thaçi drejtoi procesin për çarmatosjen e UÇK-së dhe transformimit të saj në TMK, por nuk arriti ende që FSS-në ta transformojë në Forcë të Armatosur, ani pse këtë e kishte premtuar dhjetëra herë.

Në tetor të vitit 1999 ai themeloi Partinë e Progresit Demokratik të Kosovës, ndërsa në Kuvendin e Parë Zgjedhor (2000), Thaçi zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, të cilës ia ndërroi emrin dhe vazhdoi ta drejtonte deri në zgjedhjen president.

Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga marsi i vitit 1999 deri në janar të vitit 2000, kur ai i humbi zgjedhjet lokale. Një vit më pas, PDK-ja e drejtuar nga ai humbi edhe në zgjedhjet nacionale.

Dalëngadalë, fuqia e subjekteve politike në vend mori formë, me LDK-në në dominim total në të dyja nivelet e qeverisjes ndërsa padurimi i PDK-së së Hashim Thaçit për të hipur në pushtet po rritej.

Njeriu që kishte qenë në krye të UÇK-së, nuk mori besimin qytetar, për çfarë ai u detyrua që për 8 vjet rresht, të qëndronte në opozitë. Për ato dy mandate ai ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.

Në vitin 2005, Thaçi formoi dhe drejtoi të ashtuquajturin Kabinet për Qeverisje të Mirë, apo siç njihej ndryshe Qeveria në Hije.

Ndërkohë ai ishte pjesë e Ekipit të Unitetit gjatë bisedimeve në Vjenë, për zgjedhjen e statusit final të Kosovës.

Pas vdekjes së Rugovës në janar të vitit 2006, rivali politik më i madh i tij, Thaçi, do të ndryshonte krejtësisht qasjen ndaj figurës së tij.

Çarja e LDK-së të cilës i parapriu vdekja e liderit historik, Ibrahim Rugova, ia shtroi rrugën Thaçit drejt pushtetit.

Edhe pse dikur e kishte akuzuar Rugovën, sidomos pas takimit të tij me Millosheviqin, tani ai shpreh ngushëllime për të, i përkulet para varrit dhe viziton familjen e tij në shtëpinë të cilën kur Rugova po përpëlitej me sëmundjen vdekjeprurëse, e kishte quajtur “shtëpi të krimit”./ Përgatiti: Kallxo.com/

Veritas.com.al/