Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, është kërcënuar me jetë. Ai u shpreh se ka marrë kërcënime për shkak të arrestimit të oficerit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Petar Lazoviç.

Abazoviç ka njoftuar Ministrin e Punëve të Brendshme Filip Axhiç, drejtorin e Administratës së Policisë Zoran Brđanin dhe drejtorin e ANB Sava Kentera mbi kërcënimet që i kanë ardhur. Ai tha se ishte informuar nga disa burime të sigurta se grupet e afërta me të arrestuarin Lazoviç e kanë vënë në shënjestër për shkak të problemeve të tyre me ligjin.

Oficeri i arrestuar i ANB-së Petar Lazoviç ka problem me ligjin. Shpresoj që kjo të jetë e qartë për të gjithë se unë me bashkëpunëtorët e mi do të vazhdojmë në misionin e krijimit të shtetit ligjor dhe nuk do të heq dorë as një milimetër, pavarësisht kërcënimeve, toneve ekstremiste dhe gjuhës së urrejtjes”, tha Abazoviç.

Ai tha për “Vijesti” se ka kërkuar që të mblidhen informacione, ndërsa deklaron se grupet e afërta me Petar Lazoviçin dhe babain e tij Zoran, ish-zyrtar i lartë i policisë, e bëjnë përgjegjës për arrestimin dhe po planifikojnë hakmarrje.

“Përpjekjet për sabotim, tonet ekstremiste, gjuha e urrejtjes apo kërcënimet janë të kota. E di që kjo shkakton zhgënjim tek shumë njerëz, por ne kemi treguar se Mali i Zi po ecën në rrugën e lirisë dhe nuk ka vend për kartelet e drogës, kontrabandistët e cigareve apo elitat e korruptuara. Jam informuar nga disa burime se grupet e afërta me Lazoviçin ishin kryesisht në shënjestër për shkak të problemeve të tyre me ligjin. Ata po përpiqen të krijojnë një atmosferë në të cilën unë, nga pozita e kryeministrit, gjoja po u bëj presion prokurorëve që ta ndjekin penalisht Lazoviçin dhe grupin kriminal të tyre”, tha kryeministri Abazoviç.

Vitin e kaluar Europol dhe Eurojust kanë “hakuar” komunikimin përmes aplikacionit të koduar Sky ECC.

Në korrik Agjencia për Zbatimin e Ligjit të Bashkimit Evropian – Europol i dorëzoi Prokurorisë Speciale të Malit të Zi transkriptet e mesazheve të shkëmbyera përmes atij aplikacioni, me shpjegimin se policët Petar Lazoviç dhe Ljubo Milović bisedonin dhe bashkëpunonin me drejtuesit dhe anëtarë të klanit kriminal “Kavaç”.

Lazoviç, mbante rregullisht kontakte me një nga krerët e dyshuar të klanit “Kavaç”, Radoj Zvicer, dhe praktikisht i siguronte mbrojtje. Lazoviç është arrestuar, ndërsa policia është në kërkim të kolegut të tij Miloviç, i cili është i pezulluar nga detyra që nga viti 2018.

Një zyrtar i shërbimit sekret malazez, i cili dyshohet për organizim të grupit kriminal dhe për bashkëpunim me klanin kriminal “Kavaç”, me propozim të Prokurorisë Speciale të Shtetit, është shpallur në kërkim më 21 korrik.