Analisti dhe drejtuesi i emisionit “Arena” në Ora News, Dritan Hila ka sqaruar se pse mori pjesë në diskutimet në çadrën e protestën e opozitës, duke theksuar se pavarësisht se është i majtë, mbështet kauzën e zgjedhjeve të lira.
Ai tha se kishte shkuar tek çadra e opozitës edhe për një çështje tjetër. Hila thotë gjithashtu se zgjedhjet e 18 qershorit mund të shtyhen dhe se këtë e thonë edhe eksponentë të së majtës.
Pjesë nga intervista:
Hila: Ishte një ftesë e bërë nga PD-ja. Unë pata kurajën që shkoj, të bisedoj, jemi shqiptarë. Ka pasur koleg që kanë bërë spektakël. Unë isha prej atyre që më bënë ftesë dhe vajta, si gazetar dhe si qytetar i lirë. Pa dyshim mbështet kauzat e tyre, ata që ia vlejnë, siç është beteja për zgjedhje të lira. Duhet të mësohemi të dëgjojmë opozitën. Tek ai vend 7 vite përpara kanë qenë këta që janë sot në pushtet. Opozita është përfaqësuesja e 600 mijë shqiptarëve.
Në qoftë se duhet të ecim përpara le të harrojmë lidershipin e kaluar. Duhet të ngremë një lidership të ri dhe kjo është rruga që ata duhet të ndjekin. Ua thashë, dhe askush nuk më goditi. Shkova në një format ku isha i ftuar dhe nuk shkoj në asnjë vend ku jam i paftuar. Kanë qenë edhe kolegë të tjerë edhe më përpara. Zt. Shkullaku, i cili u ka thënë se ju duhet të shkoni deri në fund.
Unë shkova me prerjen time dhe unë thashë se jam i majtë. U thashë që nuk bashkohem me ju për shumë pika. Ka pasur të tjerë që nuk kanë patur kurajë. Duhet të krijojmë këtë kulturë. Duam s’duam jemi në një moment krize. Po ikin 50 vjeçarët, ata të cilët në vend se të mendonin se si të pleqërojnë, i hyjnë aventurës nëpër kampe refugjatësh.
Hila: Unë isha kolonel me Edi Ramëm dhe nuk kam pse shkoj ushtar tek opozita
Hila: Unë isha kolonel me Edi Ramëm dhe nuk kam pse shkoj ushtar tek opozita. Po të ishte për interesa personale mund të rrija në çadrën e Edi Ramës dhe mund të bëhesha gjeneral. Unë shkova për të vlerësuar edhe një rrymë reformatore brenda PD-së dhe për t’i treguar rrymës së pushtetit në PS-në, e cila mendon se mund ta mbajë pushtetin duke shtypur opozitën. Biles ka zëra që duan ta nxjerrin nga sistemi dhe kjo do të jetë shumë e dëmshme. Unë nuk jam aktualisht pjesë e një familjeje të majtë. As pjesë e PS-së dhe as pjesë e LSI-së.
Është një ambient i ngurtë. Iu thua që duhet të bisedojmë me këtë opozitë dhe fillojnë e përmendin Gërdecin, Berishën, vrasjen në Bulevard. Unë shkova dhe gjeta Lulzim Bashën, përfaqësuesin legjitim të opozitës. Ai që të pret aty ishte i zoti i shtëpisë, i cili të jep fjalën. Në dijeninë time, aty nuk kishte vrasës. E mira bëhet duke hedhur pas krahëve të shkuarën dhe duke parë përpara drejt së ardhmes.
Koalicioni Rama-Meta
Rama ka deklaruar në se nga 1 deri tek 10-ta, koalicioni me LSI-në është 10.
Hila: Këtë e thotë Rama. Mendoj se asnjë prej drejtuesve të sotëm nuk mund t’i besojmë. As nuk skuqen dhe as nuk zverdhen nëse mohojnë të nesërmen. Nuk besoj se ajo që tha Rama mund ta marrim të mirëqenë. Unë kam informacion se mund të mos bëhen zgjedhjet më 18 qershor. Këtë e thonë edhe eksponentë të së majtës. Qëndrimi i të dyja palëve mund të çojë në shtyrjen e zgjedhjeve. Mendoj që është edhe opsioni i shtyrjes së zgjedhjeve. Marrëveshjet Rama-Meta kanë qenë gjithmonë të fshehura. Mund të kemi edhe një marrëveshje që mund të ndryshojë modalitetet e saj, por mund të ndryshojë në thelb të saj. Mund të kemi një marrëveshje ku Meta del në koalicion më vete ose mund ta kenë gjysmë për gjysmë.
Largimi i Tahirit
Hila: Kryesisht ka qenë një kërkesë e Metës. Me kapjen që Tahiri i kishte bërë sistemit të policisë, me kontrollin që kishte, me autoritetin si ministër i Brendshëm dhe duke qenë politikan mjaft i zoti në fushata elektorale, me siguri që asnjë nuk e donte ministër rendi. Një shkak kemi kryesor, por ka shumë shkaqe të vogla. Ndoshta ndërkombëtarët e kanë menduar të paaftë për ndalimin e drogërave drejt Perëndimit, e kanë menduar të kapur, ka qenë presioni i Metës, presioni i çadrës së opozitës.
Meta kryeministër?
Hila: Qenia në koalicion me PS-në do ta detyronte të merrte pjesën më të vogël të votave dhe në qoftë se koalicioni do të ishte fitues, ia jepet partisë së parë fituese. Mund të ketë kuptim nëse zt.Meta del më vete në zgjedhje dhe fiton paketën kontrolluese dhe në këtë moment mund t’i imponohet mazhorancës dhe thotë keni votëbesimin nëse unë bëhem kryeministër. Kjo ka ndodhur nëpër botë.
Akuzat e Ramës se opozita bashkëpunon me vende që duan destabilizimin e Shqipërisë
Hila: Sa herë jemi ngushtë, nxjerrim një spiun të huaj. Enver Hoxha Mehmet Shehut. Kryeministri duhet të japë prova dhe se nuk mund të akuzojë kryetarin e opozitës si pjesëtar të shërbimeve të huaja. Është papërgjegjshmëri. Të nxjerrë prova kur hedh këtë fjalë.
/Veritas.com.al/