Nga Frrok Çupi/

Shkrimtarit, tashmë klasik të letërsisë shqipe, sot iu bënë homazhet e fundit dhe iu dha lamtumira. Një lamtumirë si për “Njeriun e Mirë” që vetë kishte shkruar, por jo si për shkrimtarin dhe filozofin.

Jo se mungoi gjë, por se u teprua në çdo gjë dhe lamtumira u bë si për “fshatarin nga Devolli” e jo si për filozofin e kombit. U teprua “për mirë”- mund të thonë disa, duke e vënë trupin e tij në një nga sallat më të mëdha të Kongreseve të Partisë, ku Dritëroi kishte demaskuar primitivizmin e majtistëve- pjesë e të cilëve ishte. Jam i sigurt, si student i tij dhe si mik që më çmonte si të tillë-, se Dritëro Agolli nuk donte ta shikonte më me sy atë sallë ku kishte parë “asfiksinë” e dytë pas pesëdhjetë vjetësh kur ishte fëmijë dhe korrier partizan e gati sa nuk preku vdekjen në një moment.

Por ata e vunë trupin e Dritëroit në atë sallë. E bënë si hakmarrje ndaj tij, ndaj atij momenti që Dritëroi “u nxori bojën” kur iu tha se “gjendja e Shqipërisë është katastrofike; popullin e keni lënë në varfëri të thellë” dhe se “vetë jeni në vitin 1948”. Ata që ishin në atë  sallë, viti 1991,- i dërguan letra kërcënuese në foltore, por Dritëroi nuk kishte “komisariat policie” as “prokuror” ku të kallëzonte krimin. Ata që ishin në sallën e Kongresit të Dhjetë të PPSH duartrokitën me histeri për “udhëheqësin” e Partisë, gjë që ishte shenjë e grushtit kundër atij që foli. Ata të sallës që ulëritën me histeri kundër Dritëroit, tani janë në pushtet; këta u hakmorën kundër poetit dhe filozofit duke e shtrirë “kadavrën” e Dritëroit në atë sallë. “Ja, ule kokën tani, këtu ku na nxore bojën”- duket se i thanë Dritëroit…

A e shikoni që Dritëroit nuk i mungoi gjë. Përkundrazi ia dhanë me tepri. Trupin e  tij, tashmë pa jetë e pa mendje, e dërguan në fronin ku është pagëzuar qeveria, në sallën e Kongreseve ku merr fuqi e keqja. Ata e deshën Dritëronë pa jetë e pa mendje, që mbi atë të vendosin pushtetin e vet. Krerët politikë, të një elite të diskredituar tashmë, e shtrinë poetin e Devollit, pa pikë mëshire me orë të tëra për të thithur prej tij edhe atë pushtet që mund të merrnin… Dritëroi kishte shkruar e ishte lutur: Mos vini lajmërime për vdekjen time!, mos njoftoni shokë as miq!, më hidhni në Devoll ku nuk mund të me gjejnë të më përdorin!…

Mirëpo….

Nuk lanë gjë pa bërë… jo se bënë atë që duhej. Ngritën Komision shtetëror, bënë hartime në teknikën e  re të Facebook ku Dritëroi nuk kishte hyrë kurrë (këta e bënë për qejfin e vet) dhe provuan “brirët” ndaj njeri -tjetrit, njësoj si qetë në fushat e Devollit të Dritëroit. Krerët e politikës sapo janë grindur këto kohë; dhe “për fat të mirë”- siç e quajnë ata, ndodhi vdekja e Dritëroit. Fat i mirë!, sepse nuk kishin nevojë të shpikin ndonjë “teatër” për të provuar brirët në sy të popullit. Vdekjen e Dritëroit e kthyen në teatër ku do të dëshmonin modën në veshje, forcën kundër kundërshtarit, dhe makabritetin kundër shkrimtarit me famë.

Teatrin e kishin bërë gati qëkurse Dritëroi ra në shtrat, shtrat i cili u kthye në “shtrat të vdekjes”. Që atë ditë, këta, ose edhe të afërm të familjes, nisën të shpërndajnë fotografi me një Dritëro të rrënuar. Të rrënuar e skalitën në kujtesën e fundit. Po ta gjykosh thellë, ky  ishte një atentat për vdekje kundër Dritëroit; Dritëronë e vranë në prag të vdekjes. Se pse duhej paraqitur në publik me atë pamje të rrënuar, me atë xhaketë prej lypsi, me atë mjerim ekstrem!?…, këtë veç ata e dinë. Por ajo që dihet është se njeriun “kult” këta e shëmtojnë, këta e rrënojnë, këta e degjenerojnë, dhe prandaj ia bënë këtë Dritëro Agollit. Dritëroi ishte një gazetar e shkrimtar i ndritur, por ishte edhe një burrë i bukur; një burrë vërtet i hijshëm. Ai krijoji shumë personazhe, shumë imagjinatë dhe realitet, por këtë që i bënë këta as që mund ta kishte krijuar kurrë në fantazinë e tij.

Këta bënë atë që Dritëroi nuk do ta donte kurrë.

/Veritas.com.al/