Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, lexoi raportin vjetor 2023, të institucionit që ai përfaqëson, në Komisionin e Ligjeve. Dumani u shpreh i vendosur për sa i përket vijimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni.

Kreu i SPAK, u pyet edhe për çështjen e Sali Berishës, i cili sfidoi masën e sigurisë derisa u la në “arrest shtepie”. Lidhur me këtë çështje Dumani u shpreh se askush nuk mund të sfidojë drejtësinë dhe se nuk është peng i askujt.

“Nuk i kam patur duart e lidhura në 2008, e as në 2023, jam prokuror, politik nuk ka shans të jetë. Ju  edini që nuk ka shans të më ndikojnë në punën time dhe ju e dini mirë. Lidhur me Berishën: Ai është çështje nën hetim, unë nuk mund të prononohem. Por e them këtë që drejtësia nuk mund të sifdohet dhe nuk jam peng i askujt.”

Duke u ndalur tek aksioni më i fundit i SPAK, ku u lëshuan 50 masa “arresti në burg” dhe u zbuluan 7 grupe kriminale, Altin Dumani tha se është ulëritëse se si zyrtarët e policisë bashkëpunojnë me organizatat kriminale. Ndonëse mohoi që operacioni të jetë dekonspiruar, kreu i SPAK, shtoi se fenomeni i korruptimit në radhët e policisë është problem për funksionimin e shtetit ligjor.

“Është ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunojnë me krimin në krimet që vete krimi i organizuar kryen. Shembujt janë publik, Bistri, disa shefa komisariatesh, shefa krimesh, nuk mund të rri pa e adresuar këtë shqetësim. Por që kemi një bashkëpunim shumë të mirë me policinë, ne me policinë e Shtetit bashkëpunojmë çdo ditë, kemi hetime të përbashkëta”, tha Dumani.

Teksa na ndan një vit nga zgjedhjet parlamentare 2025, Prokuroria e Posaçme po përgatit një strategji në lidhje me hetimet për krimet zgjedhore.

‘Krimet zgjedhore, unë me stafin, kemi filluar përgatitjet dhe në janar do të bëjmë prezent edhe strategjinë që do të ndërtojmë për hetimin e veprave penale për zgjedhjet. Kemi filluar që tani që të punojmë. Gjatë 2023 ka numër në rritje, është trefishuar numri i hetimeve për krimet zgjedhore.’- tha Dumani.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, e mori fjalën edhe anëtari socialist i këtij komisioni, Damian Gjiknuri, i cili ngriti shqetësimin e tij duke thënë se mediat duhet të qëndrojnë larg dosjeve hetimore të SPAK. Në përgjigje të tij Dumani, u shpreh  se do gjendet një zgjidhje.

Kreu i SPAK, duke raportuar në Komisionin e Ligjeve, u ndal edhe në mandatin e prokurorëve të SPAK. Vetë Dumani është shprehur se duhet një zgjatje e mandatit për prokurorët. Kreu I SPAK u pyet edhe nëse ka politikane që kanë përdorur aplikacionin Sky ECC, teksa u shpreh se për çdo rast që do të evidentohet do të ketë ndjekje penale.