Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Lagjen 4.në Durrës. Gazetari Leonidha Musai raporton se pasi është goditur me thikë, ka ndërruar jetë shtetasi Halil Koka.
Ndërkohë, burime nga policia, zbulojnë se ngjarja është regjistruar pas një sherri mes dy personave.
Ka qenë shtetasi Ilir Koçilja, person me probleme të shëndetit mendor, që ka plagosur 40-vjeçarin Halil Koka. Ky i fundit ka ndërruar jetë teksa po transportohej për në spitalin e Durrësit. Shkaqet e sherrit nuk dihen ende, ndërkohë, forcat e policisë janë vënë në ndjekje të autorit.
Mësohet se ata janë fqinjë me njëri-tjetrin.
Personi që mbeti i vrarë ditën e sotme në Durrës pasi e goditën me thikë është nipi i ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.
Ndërkohë, zona ku ndodhi ngjarja është rrethuar dhe po bëhet krehja e saj me qëllim kapjen e autorit.
Njoftimi i policisë:
Plagosi me mjet prerës (thikë) një shtetas i cili humbi jetën gjatë transportimit për në spital, Policia identifikon autorin dhe vijon kontrollin dhe ndjekjen për kapjen e tij.
Rreth orës 12:30, në lagjen nr. 4, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi I. K. ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin H. K., i cili si pasojë, ka humbur jetën gjatë transportimit në spital
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe po bëjnë krehjen e saj, me qëllim kapjen e shtetasit I. K.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje./