Nga Deutsche Welle/

Për DW, situata politike në Shqipëri është shumë e rënduar për të realizuar shpejt pritshmëritë e Komisionit Evropian per dialog qeveri-opozitë.

Vendimi i opozitës është i paprecedentë në historinë e demokracisë post-komuniste në Shqipëri dhe tregon sesa e pakonsoliduar shfaqet ajo.

Mazhoranca u shfaq të hënën e pa shqetësuar nga vendimi i opozitës për të dorëzuar mandatet aktuale parlamentare. Kryeministri Rama e cilësoi vendimin e opozitës „blof, një çadër në forme bojkoti para zgjedhjeve te qershorit” duke risjellë në kujtesë precedentin e opozitës në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, kur pas protestës 3 mujore të opozitës në ҫadrën e ngritur përballë kryeministrisë, PD u fut në zgjedhje në minutën e fundit, pas marrëveshjes Rama-Basha.

Nisur pikërisht nga pakti i atëhershëm, analistë te pavarur ngrenë pikëpyetje nëse pas vendimit të heqjes dorë nga mandatet parlamentare fshihet përsëri një “pazar”. Burime zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thanë për DË se dorëzimi i mandatit të deputetit, në bazë të kodit zgjedhor, bëhet në këtë komision në mënyrë individuale dhe jo “en block”.

Pas procedurës së dorëzimit, KQZ shikon zëvendësimin e deputetëve që lanë mandatin me kandidatët që nuk fituan në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017. nëse asnjë prej tyre nuk e pranon mandatin duke iu bindur vendimit të PD, atëherë 43 deputetët opozitarë zëvendësohen me kandidatë nga lista e PS, por ky skenar nxjerr problem cilësinë e qeverisjes, që ulet ndjeshëm në një parlament ku opozita ose nuk përfaqësohet ose përfaqësohet shumë pak.

Veritas.com.al/