Gjykata Kushtetuese ka në dorë shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës ose lënien e tij në detyrë, deri në fund të mandat në korrik të këtij viti.

Nëse procesi përmbyllet me qëndrimin e Metës në krye të shtetit, çështja është e thjeshtë pasi asgjë nuk ndryshon. Problematika krijohet në rast se presidenti shkarkohet dhe posti mbetet vakant.

Përgjigjen mbi këtë aspekt, e jep media gjermane Deutsche Welle, burime pranë Gjykatës Kushtetuese të së cilës, kanë bërë me dije se në rast shkarkimi, një president i përkohshëm do ta marrë detyrën deri kur të kryhen zgjedhjet kushtetuese për presidentin e ri të vendit.

Gjithsesi ky skenar, nuk është i sigurt, pasi vetë kryeministri Edi Rama, ka deklaruar më parë se mund të ketë një zgjedhje të presidentit të ri edhe në prill nga Kuvendi.

Mbi shqyrtimin e kërkesës, sipas afateve kushtetuese, pas përfundimit të seancave gjyqësore, trupa e Kushtetueses ka 30 ditë kohë për të marrë vendimin.

Mirëpo, ato ende nuk kanë përfunduar, me të parën që u mbajt më 1 shkurt dhe tjetrën të projektuar të enjten e 3 shkurtit.

Vetë Meta bëri një sërë kërkesash, ndër të cilat edhe pushimin e çështjes në tërësi, në bazë të disa pretendimeve. Kryesoret ndër to ishin anshmëria e trupës gjykuese, tejkalimi i afateve të shqyrtimit apo pavlefshmëria e shkarkimit nga Kuvendi për shkak të ndryshimit të legjislaturës.

Të gjitha këto kërkesa u rrëzuar nga Kushtetuesja brenda pasdites.

Më tej, çështja vijoi duke i vënë palëve pyetjet në dispozicion dhe një kohë të limituar përgjigjesh.

Pas kryerjes edhe të këtij procesi dhe depozitimit të përgjigjeve në Gjykatë, u vendos edhe pushimi i seancës dhe vijimi në ditën e enjte.

Meta kështu, pret ende një vendim mbi figurën e tij institucionale. Ndërsa, mbi vendimmarrjen pas saj, duket se presidenti është i qartë.

“Ka Gjykatë Kushtetuese, por ka edhe Gjykatë Evropiane”, tha ai, duke lënë të kuptohet se nuk do ta pranojë vendimin e një shkarkimi të mundshëm nga detyra.