Frrok Çupi/

Prej tre ditësh mbi qellin e Ballkanit po ndehet reja e një konflikti; nuk dihet se mes kujt e kujt. Mund të jetë edhe mes kombeve, ose edhe mes ‘fiseve’ brenda të njëjtit komb. Mund të shndërrohet edhe konflikt mes klikave dhe masave; por nuk duket se ‘masat’ kanë aq shumë energji ose ide saqë të gjenerojnë konflikt për shpëtim. Në çdo rast, konfliktin duan ta ndezin klikat, ta prijnë klikat dhe ta fitojnë klikat… Por kjo nuk dihet.

Kjo është koha e parë:

Vendi i ‘ngjizjes’ së konfliktit u zgjodh Kosova. Ditën e tretë pas nisjes së projektit për konflikt u angazhuan këta elementë: Askush nga elitat intelektuale- përveç një pjesë mendimtarësh në Kosovë. Këta kundërshtuan idenë e kryeministrit të Shqipërisë për ta bërë ‘nul’ shtetin e Kosovës duke u uzurpuar nga qeveria e Shqipërisë. Ideja e shprehur prej tij në festimet e 10 vjetorit të shtetit të Kosovës për ‘një president’ në dy Republika, nxit konflikt: Konflikt mes shqiptarëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Shqipëri; konflikt mes serbëve në Kosovë e Serbi me shqiptarët në Kosovë e Shqipëri; konflikt mes shteteve Shqipëri, Maqedoni, Greqi, Turqi dhe Mali i Zi. Këshilli Europian u shpreh sot me politesë duke thënë se ‘ideja nuk ndihmon fqinjësinë e mirë’.

Për ngjizjen e konfliktit u përdor ditëlindja e shtetit më të ri në rajon dhe në botë: Kosovë. Kjo ‘datë’ ishte zgjedhur me qëllim, për të ndezur të paktën disa fitila që nisnin në Prishtinë e nuk dihet ku e çonin zjarrin.

Prandaj u angazhuan të gjithë faktorët, përveç intelektualëve të Kosovës që nuk pranuan idenë ‘nxitëse’ të ardhur nga Tirana.

1.

Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadës në Prishtinë, lëshoi një deklaratë të menjëhershme se “nuk e mbështesim shkëmbimin e territorit apo vendosjen e precedentëve që do të shkaktonin më shumë probleme sesa zgjidhje…:.

2.

Këshilli Europian, deklaroi se thëniet e qeverisë së Tiranës për të bashkuar dy shtete në një ‘kulm’ presidencial dhe qeveritar, shkaktojnë veçse prishjen e ‘fqinjësisë së mirë’. Prishja e fqinjësisë së mirë në Ballkan për gjatë gjysmë shekulli shkaktoi konflikte të pashmangshëm, që sollën më në fund detyrimin botëror për ta zgjidhur me forcën e armëve.

3.

Rusia. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, bash në kulmin e krizës, qortoi Shtetet e Bashkuara dhe BE, afërsisht me këto fjalë: “Lëreni Ballkanin të zgjidhë vetë, me ju apo me ne në Moskë”. Ai solli Ukrainën si modelin më të mirë; por që në fakt është modeli i konfliktit tashmë thuajse të pa zgjidhshëm.

4.

Serbia, me anë të një deklarate të presidentit Vucic në konferencë me një senator Amerikan, i bëri lutje Amerikës: “Zgjidhna konfliktin në Ballkan”, pa treguar cilin konflikt, por vetëm duke e drejtuar gishtin ndaj shqiptarëve.

5.

Edhe në Malin e Zi nisi një lojë e stisur pikërisht për këtë rast. Një parti politike e akuzoi qeverinë e vet për ‘tradhti’ në nënshkrimin e demarkacionit me Kosovën, edhe pse Mali i Zi fitoi më shumë…

6.

Revista e famshme ‘The Economist’ shkroi sot se ‘shkëmbimi i territoreve’ në Ballkan është si “hapja e portave të ferrit”

Kjo ishte tërë dita sot, me densitetin më të lartë të thënieve për konflikt.

Koha e dytë është koha kur mendohet se konflikti do të ketë ndodhur.

Atëherë vjen koha e parashikuar për ‘zgjidhjen’ e disa krizave: Zgjidhet kriza personale e liderëve. Liderët e Ballkanit janë konsideruar si ‘banditë’ nga politologjia perëndimore. Një pjesë e tyre kanë për të paguar te fqinjët, si psh’., presidenti i Serbisë që është autor i disa sloganeve ‘për luftë a vdekje’ me myslimanet dhe kroatët… Pjesa tjetër, si në Kosovë, duan të mbyllin kapitullin e krimeve të luftës dhe të korrupsionit të madh… Në Shqipëri, kapitulli i krimit të organizuar, prodhimit dhe trafikimit të drogës si dhe përzierja e hapur e qeverisë në bandat kriminale…

Të gjithë e dinë se, sado keq, vjen një ditë që dalin të gjitha në shesh; dhe ndëshkimi për liderët ‘banditët’ do të ishte shumë i egër. Atëherë, sa kohë që këta e kanë në dorë zjarrin, ia vënë fitilat Ballkanit dhe nesër dalin prapë të fituar. Ose të paktën  dalin në një terren të djegur ku nuk ka mbetur asnjë shenjë e krimit të tyre…

Atëherë nis nga e para. Kjo është koha “e dytë”, që nuk duhet të vijë, se atëherë këta na marrin në qafë për gjithë jetën.

Veritas.com.al/