“Neveri”- kështu i ka konsideruar ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, akuzat e Berishës se është pronar i një kompanie që jep varka dhe skafe me qira.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Çuçi hedh poshtë deklaratën e kreut të Foltores, duke theksuar se ai dhe grupi i tij po kërkojnë “të keqpërdorin në mënyrë të neveritshme këtë ngjarje tragjike, për ta mbajtur gjallë për hallet e tyre politike”.
“Ka një përpjekje për të prodhuar fakte që të ilustrojnë akuzat e gatshme të Sali Berishës ndaj meje pas tragjedisë së fundit në Himarë. Për respekt të opinionit publik, që me të drejtë është i ngarkuar nga tragjedia e vajzës 7-vjeçare dhe dhimbja e familjes së saj, dua të sqaroj se sajesat me emrin tim dhe një shoqatë velierash sportive që kam krijuar me miq pasionantë të tyre, nuk kanë lidhje me asnjë biznes dhe aq më tepër me skafe apo gomone. I hedh poshtë me neveri këto sajesa, pasi duan të keqpërdorin në mënyrë të neveritshme këtë ngjarje tragjike, për ta mbajtur gjallë për hallet e tyre politike.
Gjatë këtyre ditëve të rënda për çdo shqiptar, por veçanërisht për familjen e vajzës dhe për ne që jemi përgjegjës për sigurinë e jetës së tyre, jam përpjekur të flas me veprime konkrete kundër fajtorëve të asaj tragjedie, të cilët tani janë para drejtësisë, përfshirë gjithashtu dhe të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Kufitare Vlorë.
Mendoj se kjo është rruga e duhur për të respektuar dhimbjen e familjes së vajzës dhe të afërmve të saj. Rruga për t’u përballur me baltën e Sali Berishës është 30- vjeçare dhe nuk më sfidon. Thjesht e kemi detyrim ndaj shqiptarëve të ndajmë fatin e Shqipërisë nga fati dhe balta e tij”– shkruan Çuçi.
Vlen të theksohet se, për mediet ditën e djeshme Berisha e ka konsideruar komisarin i cili i mori jetën 7-vjeçares me skaf, një xhelat. Megjithatë, krimi sipas tij nuk është vetëm përgjegjësi individuale, por edhe shtetërore. Kështu që duhet të largohet ose shkarkohet ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.