Një borxh prej 1 milionë lekësh i ka kushtuar jetën në mënyrë makabre një 61-vjeçari në Tiranë. Menduh Shaban Kurt-Deda u vra në vitin 2017, ngjarje kriminale për të cilën kanë rënë në pranga Marjeta Karaj dhe Gazmir Ngota. Viktima fshihej prej kohësh pasi kishte një borxh me vlerë 1 milionë lekë të reja ndaj të dashurës Marjeta Karaj, me të cilën kishte krijuar një shoqatë OJQ për të ndihmuar fëmijë jetimë të ushtarakëve brenda edhe përtej kufirit.

Së bashku me të birin, Besmir Karaj, 34 vjeç dhe shokun e tij Gazmir Ngota, 39 vjeç, sapo zbuluan se ku ndodhej, arritën ta fusnin me forcë në makinë dhe më pas e çuan në zonën e Alliasit, ku e rrahën. Më vonë, Karaj dhe Ngota, e çuan në një zonë pyjore, në Kodër-Shupal ku e lidhën me litar dhe e dogjën për së gjalli.

Të tre autorët akuzohen për veprën penale “Vrasja me dashje”, teksa burime nga blutë i thanë Report Tv se Besmir Karaj rezulton të jetë aktualisht në Itali, ndërsa ka nisur bashkëpunimi me autoritetet italiane për lokalizimin e tij. Ashtu si bashkëpunëtorët në krim, prej 5 vitesh Besmir Karaj ka vijuar i qetë jetën i lirë, pa menduar se policia do e zbulonte të gjithën në një operacion të koduar “Asgjë nuk harrohet”.

Si ndodhi krimi horror
Marjeta Karaj, Besmir Karaj dhe Gazmir Ngota janë autorët e krimit horror në Tiranë. Më 16 maj 2017, ata arritën të kontaktonin në zonën e Xhamllikut Menduh Kurt-Dedën, i cili fshihej prej kohësh për shkak të borxhit të pashlyer. Ata e morën me forcë në automjet, shkuan në zonën e Alliasit dhe ushtruan dhunë ndaj tij. Më pas, vetëm i biri i Marjetës me shokun e tij e çuan në Kodër-Shupal. Atje e rrahën sërish, e lidhën me litar, i hodhën benzinë dhe i vunë flakën.

Si u gjet trupi i 61-vjeçarit
Të paktën 5 vite më parë, më 16 maj 2017, autoritetet gjetën një kufomë. Totalisht e dekompozuar, kufoma e gjetur ishte e pamundur të identifikohej se kush ishte, për shkak se ishte e djegur. Ndër vite pa asnjë të dhënë, hetimet u mbyllën, pasi asnjë familjar i personit të humbur nuk u paraqit për të hedhur dyshimet, se kufoma e bërë hi, mund të ishte e Menduh Kurt-Dedës, 61-vjeçarit me origjinë nga Sohodolli i Dibrës, por që në kohën e vrasjes jetonte në Lukovë të Sarandës. Por policia arriti ta identifikonte përmes këmbës së majtë, pasi kjo pjesë e trupit ka qenë më pak e dekompozuar.

Kush është Marjeta Karaj
Marjeta Karaj, 56 vjeçe nga Tirana, jetonte e lirë me profilin e një bamirëseje. Ajo është drejtoreshë e qendrës “Ndihmë dhe kujdes për fëmijët jetimë të ushtarakëve, brenda dhe jashtë vendit”. Nga fotografitë në rrjete sociale shfaqet pranë Ilir Metës, aso kohe president. Më 10 qershor, ndodhen në presidencë për një event të organizuar nga shoqata OJQ për fëmijët.