Nga: Astrit Patozi/
Ia vlen më shumë debati për godinën e teatrit, sado i vjetër dhe i lodhur të jetë bërë, se sa ky teatri i shpifur për debatin e reformës zgjedhore.
Te paktën, për të parin e dimë që palët ndërluftuese nuk janë në një mendje, pavarësisht motiveve dhe maskave që përdorin për të fshehur qëllimet e vërteta politike dhe financiare.
Ndërsa për reformën elektorale nuk ka asnjë kuptim të bëjnë sikur zihen, ndërkohë që ka një dakordësi të plotë dhe të qartë për të mos ndryshuar asgjë thelbësore për mënyrën se si zgjedhin dhe zgjidhen prej shumë vitesh shqiptarët.
Nuk ka asnjë rëndësi, nëse dështon fare apo arrihet ndonjë kompromis i minutës së fundit për ngjyrën e kutive te votimit, sepse rezultati i të ashtuquajturës reformë zgjedhore do të jetë i njejtë.
Statukuoja do të ruhet dhe sistemi i kalbur elektoral do të vijojë të prodhojë pushtet dhe përfaqësim të deformuar politik.
Keto ditë thjesht përgatituni për të dëgjuar betime më të rënda se zakonisht për kokën e Budestagut, të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe angazhime solemne kuqezi në emër të kushtetutës dhe të popullit shqiptar.
Është e vetmja garë e lirë dhe pa kosto, që nuk prodhon asnjëherë fitues dhe humbës prej dekadash në Shqipëri, ndaj edhe askush nuk e merr seriozisht, si ata që aktrojnë, ashtu edhe të tjerët që e ndjekin.
Ndaj edhe zero pritshmëri apo vëmendje për pingpongun e shëmtuar PS-PD në Komitetin Politik dhe më gjerë.
Ata e kanë më të lehtë të shpikin vaksinën për COVID 19-tën, se sa të ndryshojnë kënetën, që i ushqen prej vitesh me një pushtet të pamerituar dhe të korruptuar, i cili buron nga pamundësia e qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur të lirë ata që duan.
VERITAS.COM.AL/