Frrok Çupi
Mund ta nis kështu shkrimin, duke vënë në hyrje njoftimin V.O:
“Këtë dhe, që e kemi edhe atdhe, këtë nuk e dua…, por erdha, pashë dhe po dëshmoj realitetin”.
Edhe pa e dashur atdheun mund ta bësh kaq gjë.
Sepse është kthyer në modë të ditës që për të qenë ‘ i kohës’, ose për t’u bërë interesant, nis e shpik skenat më të shëmtuara për vendin tënd. Madje, po u kap dikush që thotë fjalët e duhura për atdheun, këtë e sulmojnë si ‘otomanët’.
‘Intelektual është ai që shan atdheun e vet!’, po thonë. Nuk është nevoja ta duash atdheun, nëse nuk do që ta duash. Po që të tregosh atë që shikon e prek, kjo quhet përgjegjësi intelektuale. Po them aq më tepër për median. Se shkrimtarët, në fund të fundit, rrethe rrotull fshatit vërtiten e shkruajnë vargje për njëri tjetrin. Po gazetarët që kanë përgjegjësinë dhe mundësinë që të futen skërkë më skërkë e të informojnë publikun.
Të paktën të vihesh në rolin e një reporteri të huaj. Ai, i huaji, teksa Shqipëria nuk kishte interes për botën, as që e kishte dëgjuar emrin e Bogës apo të Bënjës. Mirëpo deri më sot nuk besoj se ka mbetur rrëzë e vendit tonë pa u zbuluar nga reporterët e huaj. Jo se ata ‘ kanë dashuri për atdheun tonë’, por se kanë detyrën të zbulojnë botën siç është.
Të paktën kaq të bënte media jonë, edhe pa e dashur atdheun.
Se po të themi ‘ta duash atdheun’, këta të quajnë ‘komunist’, ose minimum ‘njeri i qeverisë’. S’e dinë se po bëjnë një budallëk të madh duke i quajtur të gjithë ‘ të dashuruarit me atdheun’, si njerëz të afërt me qeverinë dhe me shtetin. Këtë verë, edhe një herë tjetër, u konstatua se media shqiptare është e para në botë që nuk di të shkruajë reportazhe nga vendi i vet. U provua me turizmin. Nuk ka mbetur, besoj, media serioze në botë, veçanërisht në Perëndim, pa shkruar reportazhe dhe dokumentare nga lokacionet turistike në Shqipëri. Ashtu siç edhe kanë shkruar për turizmin e vendeve të tyre. Sepse ky është një shërbim për qytetarët. Nëse do që ti të jesh një dritare që bashkatdhetarët e tu e hapin që në agim për të vizatuar ku kalohet jeta në stinë vaknance, atëherë reportazhi për turizmin quhet hapësira jote. Edhe pa e dashur atdheun tënd, nëse nuk ke dëshirë mos e duaj; por ‘dil nga strofka e inatit, shiko, dhe dëshmo’. Gjëja më e afërt që të intereson është se në mbrëmje do të konstatosh se edhe media jote ushqehet nga turizmi. Minimumi është kjo, aq minimum sa thua se atdheu ‘është i qeverisë’. Sipas shumë studiuesve, gazeta e parë ishte Acta Diurna, 59 vjet para Krishtit, e krijuar nga romakët. Nuk kishte shumë shtrirje, aq sa ishte rrezja ku mund të mblidhej informacioni. Por u tregonte njerëzve çfarë kishte ndodhur, kush kishte vdekur e kish kishte lindur në 24 orët, u sillte edhe thashetheme… Por ama i njoftonte njerëzit për çfarë shikonte e merrte vesh.
Të mos i mbushësh ekranet dhe faqet e gazetave me jetën e turizmit, kjo do të thotë se jetës tënde i eliminon një stinë, të paktën. Ka disa që shkruajnë më të zezën ose që përgjojnë orën kur dynden turistët e shkojnë për gjumë. Atëherë e filmojnë plazhin të boshatisur. Këta e bëjnë në emër të ‘lajmit korrekt e të paanshëm”, por në fakt gënjejnë. Gënjeshtra nuk pranohej as në gazetën Acta Diurna të Romës së lashtë. Gënjeshtra në media është gropë në memorien kolektive. Edhe pa e dashur atdheun mund të tregosh atë që ndodh. Dheu ynë që është edhe ‘atdhe’ për shumicën absolute të banorëve, ka bërë përparime shumë të mëdha. Megjithatë, edhe sikur të mos ishte kështu, pse u dashka shkruar pa dashuri për atdheun?
Arsyeja:
Sepse ka plot atdhetarë që të sulen nëse thua të vërtetën për vendin tënd. Këta të akuzojnë se ‘i shërben Edi Ramës’ . Sa i mbinatyrshëm duhet të ndihet ky njeri që e quajnë ‘ vetë atdheu’. Nëse atdheu do te ishte një njeri i vetëm, atëherë do te quhej ‘at- njeri’, por quhet ‘at – dhè’. Ndoshta që mijëra vjet më parë ka pasur njerëz qe nuk e duan atdheun për shkak të një njeriu, e atëherë kanë bërë zgjidhjen duke përdorur fjalën neutrale ‘ dheu’.
Si kolegu im Sandër Çipa i quan ‘ atdhetarët’ me fjalën e shpikur ‘dheas’.