JOEL B. POLLAK

Komediania Whoopi Goldberg është pezulluar nga programi The View e ABC për komentet e saj në lidhje me Holokaustin, për të cilin ajo kërkoi falje, megjithëse pak njerëz mund të përshkruanin thjesht në anglisht atë që ekzaktesisht ajo tha se ishte antisemitike, ose ofensive.

Vërejtja më gjerësisht e raportuar ishte se Holokausti nuk kishte të bënte me “racën” dhe ajo u korrigjua në transmetim nga bashkë-prezantuesi Joy Behar.

Holokausti ishte vërtetë për “racën”, mënyrën se si e kuptonin nazistët. Gjermanët mendohej se ishin anëtarë të një race superiore, ariane, dhe hebrenjtë thuhej se ishin një racë inferiore që kompensonte dobësinë e saj duke shpikur ide dhe sisteme që i pengonin arianët dhe të tjerët të arrinin potencialin e tyre evolucionar. Thuhej se kjo ishte “shkencë”.

Por në kontekst, ajo që Goldberg donte të thoshte ishte se hebrenjtë nuk vuajten për shkak të ngjyrës së lëkurës së tyre, që është ajo që do të thotë “raca” në një kontekst amerikan. Ajo tha gjithashtu se Holokausti ishte “të bardhët që u bënin të keqen te bardhëve”.

Kjo errësoi faktin që ideologjia naziste pretendonte gjithashtu se njerëzit e zinj ishin inferiorë dhe minimizoi implikimet morale universale të Holokaustit – gjë që vetë Goldberg e pohoi, pak çaste më vonë, duke e përshkruar Holokaustin si “me ç’njerëzori i njeriut ndaj njeriut”.

Ajo që na ka mbetur është një mori komentesh, të bëra në momentet e fundit para një pushimi reklamash. Nuk është e qartë se çfarë po mendonte Goldberg. Por elementët e asaj që ajo tha janë të zakonshme në keqkuptimet popullore rreth Holokaustit. Liberalët e kanë interpretuar prej kohësh atë si një mësim për njerëzimin në përgjithësi, dhe jo për hebrenjtë në mënyrë specifike. Dhe disa e kanë të vështirë të kuptojnë se si hebrenjtë – shumica e të cilëve janë “të bardhë” në SHBA – mund të kenë pësuar paragjykime racore më të këqija se zezakët.

Megjithatë, këto keqkuptime nuk janë domosdoshmërisht keqdashëse apo antisemitike. Goldberg nuk kishte për qëllim të përçmonte hebrenjtë apo të zvogëlonte vuajtjet e hebrejve dhe asnjë hebre nuk u dëmtua për shkak të konfuzionit të saj momental në një talk show të ditës.

Me sa duket, hebrenjtë u dëmtuan nga ajo që errësoi polemikat e Whoopi Goldberg: lajmet për antisemitizmin në nivelet më të larta të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Pretendimi u bë nga ish-ambasadori David Friedman, ne kujtimet e të cilit, tregon se si atij iu tha të mos ishte “aq hebre” në punën e tij.

Paragjykimi aktual kundër hebrenjve që ka një efekt në politikë është një histori më e madhe se një gabim i një komedianeje të quajtur Goldberg.

Por Goldberg ishte një objektiv më i lehtë – si për konservatorët të cilët ajo i ka sulmuar gjatë viteve, ashtu edhe për qortuesit liberalë që shfrytëzuan mundësinë për të rivendosur njëfarë besueshmërie në një “cancel culture” që është vënë nën kritika në rritje.

Ironia është se konformiteti i mendimit i përforcuar nga shpërthime të tilla zemërimi është pikërisht qëndrimi mendor që kërkon një sistem totalitar dhe në të cilin mizoritë mund të kryhen nga njerëz të zakonshëm me pak shqetësime apo kundërshtime.

Shumica e tureve në Holokaust fokusohen në kampet e vdekjes në Poloni, për shembull, veçanërisht në Aushvic. Tmerret e tij të pakuptueshme pasqyrojnë dyshimet tona për modernitetin: shinat e trenit, proceset industriale të vrasjeve masive, eksperimentet makabre “shkencore”. (Në një farë mënyre, liberalizmi është kthyer sërish në adhurimin e të ashtuquajturës “shkencë”, e hequr nga çdo reflektim më i gjerë moral.)

Por miliona viktima hebreje të Holokaustit u vranë duke u qëlluar – jo vetëm nga nazistët, por nga bashkëpunëtorët vendas.

Në Lituani, ku mund të thuhet se filloi Holokausti, hebrenjtë vriteshin shpesh nga policia lokale dhe ndihmësit. Forcat pushtuese naziste, pa dyshim, ishin në gjendje të shfrytëzonin paragjykimet primitive antisemitike, shumë të natyrës fetare.