Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmeve se mëngjesin e sotëm kanë nisur shpërndarja e tezave të maturës kundrejt votave të zgjedhjeve të 25 qershorit.
Duke folur nga Poliçani, Rama tha se kushdo që i ofron tezën e maturës për provimin e sotëm të gjuhës së huaj, po mashtron pasi tezat janë të sekretuara dhe nuk i ka askush.
Ai u bëri thirrje maturantëve që të refuzojnë blerjen e tezës së maturës pasi është mashtrim.
“Sot në mëngjes lexova me trishtim një lajm që maturantëve ka filluar t’u ofrohet kopja e tezave të maturës në këmbim të parave dhe kartave të identitetit për familjarët.
Së pari dua t’u them maturantëve që kushdo që ju ofron këtë është në mashtrim sepse tezat e maturës janë të super-sekretuara dhe askush nuk mund t’i ketë, e jo më t’i nxjerrë në pazarin e votave.
Së dyti, dua t’i them të gjithë atyre që gjenden përpara kësaj oferte mashtruese që jo vetëm ta refuzojnë por edhe të kuptojnë se mjafton një ofertë e tillë për të refuzuar ofertuesin dhe për t’u bashkuar edhe më shumë për PS”, tha Rama nga Poliçani.
/Veritas.com.al/