Pas Lushnjës, Partia Socialiste përmbylli fushatën elektorale në Bashkinë e Fierit. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se Fieri më 14 maj do të votojë Armando Subashin, si kandidatin i cili di të administrojë siç duhet këtë qytet.
“Në 14 maj, pamja e këtij sheshi, do jetë e shumëfishuar në kutitë e votimit me votën për të shkuar vetëm përpara. Dua t’ju them se Shqipëria është në momentin e një kthesë të madhe të shumëpritur në ekonominë e saj”, theksoi ai.
Ai shtoi se ndërkombëtarët janë investuar për të mbështetur rrugëtimin e Shqipërisë, por zhvillimin e saj e duan pa “non-grata”.
“Do të sigurojmë ecjen përpara të Fierit dhe të gjithë Shqipërisë. Ata [ndërkombëtarët] e duan Shqipërinë më të fortë dhe më të sigurt, dhe Shqipëria po bëhet vendi ku do të ketë një aeroport të NATO dhe një bazë detare të NATO-s. Imazhi i përmirësuar bëjnë që të rritet turizmi dhe të rritet mirëqenia”, tha Rama.
Kryeministri u bëri thirrje demokratëve të braktisin njëherë e mirë Sali Berishën pasi aleatët strategjikë të Shqipërisë e kanë shpallur person të padëshirueshëm. Sipas tij, Fieri do t’i prijë trenit të gjatë të fitores së Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë.