Arrestohet në Tiranë një efektiv i forcave Renea. Në pranga u vu 43 vjeçari Altin Morina me detyre Shefi i stërvitjes në këtë repart. Hetimet për të kishin disa muaj që kishin nisur. Burime te sigurta nga grupi hetimor thanë për abcneës se gjatë kohës që ai është mbajtur nën vëzhgim është shoqëruar me persona të inkriminuar.
Të njëjtat burime sqarojnë se një prej tyre është person i dyshuar që ka dijeni apo lidhje me atentatin e së dielës në Don Bosco.
Detaje të reja kanë dalë në lidhje me arrestimin e efektivit të RENEA-s, Altin Morina, i cili ditën e djeshme u kap në makinën e tij me 113 mijë euro, 290 mijë lekë të reja dhe 80 paund.
Ka dyshime të forta se efektivi ka lidhej me grupin e të shumëkërkuarit, Ervis Martinaj.
Tetë ditë më parë, Morina është parë në praninë e një të afërmi të Ervis Martinajt ku dyshohet se e mbronte nga ndonjë atentat i mundshëm.
Ky nuk është rasti i parë ku punonjës të policisë së shtetit shoqërohen me persona të inkriminuar. Kujtojmë këtu rastin e oficerit të operacionales Jeton Lami, i arrestuar për shpërdorim detyre, me akuzën se shoqëronte të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit të kaluar.
Zyrtarisht policia thotë se polici i Reneas u arrestua për tre vepra penale: pastrim parash, fshehje të ardhurash dhe shpërdorim detyre. Mesditën e së martës Morina u kap duke lëvizur vetëm me një automjet audi në zonën e njohur si Kodra e Diellit.
Kush është Altin Morina?
Altin Morina ka nisur punën në polici në vitin 2006 në komisariatin nr 3, në sektorin e krimeve. Në 2010, ai ka kaluar te kontrolli i brendshëm dhe më pas tek RENEA.
Në vitin 2015, Morina ka qenë edhe tek Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH).
Po në 2015-ën, punonte si bodigard në një lokal nate. Në atë kohë është përjashtuar nga policia, pasi gjatë kohës që ndodhej në lokal është përfshirë në një konflikt dhe nuk iu bind kolegëve të policisë për tu shoqëruar. Me vendim gjykate, ai u rikthye në polici brenda vitit 2015.
Morina ka punuar edhe në Drejtorinë e Antiterrorit në 2019, ndërsa në 2021 ka qenë shef komisariati në Mallakastër.
Së fundmi, në vitin 2022 kaloi si shef stërvitje në RENEA.