Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë një deklaratë përmbyllëse të ekipit të Misionit të Monitorimit Pas Programit për shpërndarje të menjëhershme.
Sipas raportit të tyre, parashikohet që ekonomia do të rimëkëmbet duke filluar nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2020 dhe do të fuqizohet gradualisht gjatë vitit 2021, me zbutjen e efektit të goditjeve dhe me vijimin e rindërtimit pas tërmetit.
Fondi ka bërë thirrje për rritjen e të ardhurave dhe një sistem më transparent fiskal si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar, pasi pritet rritje e kredive me probleme.
Më tej ata shtojnë se inflacioni parashikohet të vijojë të jetë i ulët.
“Ne e përkrahim qëndrimin e Bankës së Shqipërisë për të ndjekur një politikë lehtësuese monetare dhe regjim të lirë të kursit të këmbimit. Mbështetja për ekonominë duhet të vijojë në vitin 2021, por me rimëkëmbjen e rritjes ekonomike, buxheti duhet të përpiqet të arrijë edhe një rënie modeste të nivelit të borxhit”, shkruhet në raport.
“Ka nevojë për të përgatitur masa rezervë në rast të një pandemie më të rëndë. Financat publike—baraspeshim mes mbështetjes për ekonominë dhe adresimit të hendeqeve në zhvillim, me nevojën për të rikrijuar hapësirë për manovrim me politika buxhetore dhe për të ulur borxhin Rritja e konsiderueshme e defiҫitit fiskal në vitin 2020 për të zbutur ndikimin e krizave është e përligjur”, shkruan FMN.
Përsa i përket rimëkëmbjes së ekonomisë ata parashikojnë se mund të tkurret me 7.5% në vitin 2020. Deri në fund të këtij viti parashikohet që borxhi publik të rritet pak mbi 80% të PBB-së.
“Për shkak të varësisë ndaj turizmit dhe ndaj dërgesave të emigrantëve, ekonomia parashikohet të tkurret me rreth 7,5% në vitin 2020. Defiҫiti fiskal parashikohet të rritet në rreth 7 përqind të PBB-së dhe borxhi publik pak mbi 80 përqind të PBB-së deri në fund të vitit 2020. Mbështetja financiare ndërkombëtare, përfshirë edhe atë të FMN-së, si dhe emetimi i Eurobondit në qershor do të ndihmojë në mbulimin e nevojave për financim.
Vendimi i Bankës së Shqipërisë për t’i lehtësuar përkohësisht rregullat për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive mund të vonojë kohën kur ndikimi i goditjeve në cilësinë e aktiveve dhe pozicionin e kapitalit mund të vlerësohet me saktësi. Ne theksojmë rëndësinë e ruajtes së rregullave për klasifikimin dhe provigjionimin e kredive në mënyrë që humbjet e mundshme të bankave të vlerësohen sa më saktë është e mundur”, shkruan FMN.
FMN deklaron se rindërtimi duhet të bazohet në transparencë.
VERITAS.COM.AL