Brenda vitit të ardhshëm gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar nuk do të jenë më pjesë e sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Sigurinë për këtë e ka dhënë vëzhguesi amerikan që është pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të akredituar në Tiranë, si pjesë e reformës në drejtësi, John Leonardo.
Në një intervistë për portalin amerikan të lajmeve ‘Tucson’, Leonardo rrëfen besimin që kanë shqiptarët tek reforma në drejtësi e mbi të gjitha tek pjesëmarrja e ndërkombëtarëve në këtë proces.
Sipas tij vetingu është pika kyçe, e cila do të ndihmojë, shoqërinë shqiptare të largohet nga fenomeni dhjetravjeçarë i korrupsionit në drejtësi.
John Leonardo, që detyrën e fundit në SHBA ka patur atë të prokurorit federal në Arizona për 5 vitet e fundit, thotë se ekipi i vëzhguesve ndërkombëtarë, i përbërë nga 8 juristë të tjerë me eksperiencë të gjatë u formua pas ngritjes së institucioneve si rrjedhojë e amendimeve që Parlamenti shqiptar i bëri Kushtetutës.
Ndërkohë, Leonardo bën edhe një pasqyrë të shkurtër të sistemit tonë të drejtësisë. Në Shqipëri, thotë ai, ashtu si edhe në vende të tjera të Ballkanit, korrupsioni tek gjykatësit, prokurorët dhe në polici është i shfrenuar.
Eksperti 71-vjeçar amerikan gjatë kohës që ka qëndruar në Shqipëri duket se ka vënë re edhe besimin e shoqërisë shqiptare tek amerikanët, kur thotë se “e ndjej veten pak më të vlerësuar, pasi shqiptarët kanë disi më shumë besim tek ne, sesa tek vendet e Europës Perëndimore”.
Leonardo e mbyll intervistën e tij me optimizëm, duke thënë se atë njerëz të drejtësisë, të cilët ambasadori amerikan Lu i evidentoi për orët, makinat, apo pasuritë e shtrenjta, nuk do të jenë më në qarkullim vitin e ardhshëm.
Veritas.com.al/