Dyshohet për konflikte, ka dyqanin 500 metra larg shtëpisë ku vuri lëndën plasëse
Kanë mjaftuar vetëm 24 orë për të identifikuar autorin që dyshohet se vuri dje eksplozivin në shtëpinë e kreut të FSHF-së, Armand Duka në qytetin e Durrësit në lagjen nr.4. Mbrëmjen e kësaj të marte është arrestuar 34-vjeçari Arlen Hasanaj. Report Tv mëson se Hasanaj është pronar i një biznesi privat në qytetin bregdetar, më konkretisht i kompanisë ‘Euroshop Durrës’ themeluar në korrik të 2020, me ortak Albi Lika.
Kjo kompani ka si veprimtari përveç market bar-kafes, edhe në fushën e prodhimit, magazinimit të prodhimeve të ushqimeve blegtorale e bujqësore. Dyshimet e para janë se ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti për biznesin, kjo pasi siç Report Tv mëson, kur inspektorët e Tatimeve shkuan nje dite me pare për kontroll në ambientet e kompanisë së vezëve “Aiba”, në pronësi të kreut të FSHF-së, Armand Duka dhe vëllait të tij deputet, Agron Duka thanë se kanë pasur denoncim nga një klient i pakënaqur, që mendohet të jetë ‘Euroshop Durrës’. Pikërisht ky klient i pakënaqur dyshohet të jetë 34 vjeçari Arlen Hasanaj, i cili është edhe pronar i një dyqani vetëm 500 metra larg nga shtëpia e Dukës në Durrës, pikërisht aty ku dje vendosi lëndën plasëse.
I riu u kap nga kamerat e sigurisë duke i vënë eksplozivin në derën e shtëpisë, i cili fatmirësisht përfundoi pa të lënduar. 34-vjeçari po merret në pyetje në ambientet e Policisë së Shtetit, e ndërsa sipas gazetarit Arsen Rusta, uniformat blu thonë se kanë të gjitha provat që e inkriminojnë Hasanajn, si autor i kësaj ngjarjeje.