Autori i vrasjes së kunatës 34-vjeçare në Bathore është arrestuar ditën e sotme, pas ndjekjes dhe rrethimit të policisë në qytetin e Lushnjes.
Agron Tanushi vrau me armë zjarri kunatën e tij 34-vjeçare Jetmira Hasanin mbrëmjen e djeshme pas një konflikti për motive të dobëta dhe arriti t’i shpëtonte policisë. Atij iu vunë prangat pas 14 orësh kërkime në dhjetëra objekte, banesa, hotele, dhe godina të braktisura. Policia zhvilloi kontrolle të shumta në Tiranë e Lushnje gjatë gjithë natës.
Menjëherë pas ngjarjes policia mori informacion, se 31-vjeçari kishte një motër të martuar në Lushnje. Agjentët e policisë Kriminale të DVP Tiranë në bashkëpunim me Policinë e Lushnjes ushtruan kontrolle, por ai nuk ishte në shtëpinë e motrës dhe pas kësaj e gjithë zona u rrethua gjatë natës.
Vendi se ku rrinte Tanushi ishte e rrethuar nga policia dhe në pamundësi për t’u fshehur më tej ai u arrestua.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/ Vihet në pranga autori i vrasjes me armë zjarri të 34-vjeçares në Kamzë, Tiranë. Sekuestrohet arma e zjarrit pushkë me të cilën autori kreu vrasjen. Si rezultat i kontrolleve të pandërprera, përdorjes së metodave speciale të hetimit dhe pamundësisë së fshehjes më gjatë autori i dyshuar i vrasjes ka rënë në prangat e shërbimeve të policisë së Lushnjës dhe të DVP Tiranë , pasi ishte i rrethuar pa asnjë mundësi largimi apo fshehjeje të mëtejshëme. Menjëherë pas njoftimit të marrë për një ngjarje të ndodhur për shkak të marrëdhënieve familjare në orët e mbrëmjes të ditës së djeshme në Bathore, Kamzë, ku mbeti e vrarë me armë zjarri shtetasja J. H,.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr.5, Kamëz kanë ushtruar kontrolle të pandërprera si dhe kanë përdorur metodat proaktive për të bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së autorit.
Si rezultat i trysnisë së ushtruar nga ana e Policisë duke kryer kontrolle të shtuara e të pandërprera në dhjetëra objekte, banesa, hotele, dhe godina të braktisura, informacioneve të grumbulluara, bashkëpunimit me familjarët, bashkëpunimit me Komisariatin e Policisë Lushnje dhe falë metodave proaktive mëngjezin e sotëm u bë lokalizmi i vendndodhjes së autorit , i cili fshihej në një lagje në Lushnje.
Pas disa orë kërkimesh, para pak minutash autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi A. T., 31 vjeç, u vu në pranga nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje dhe të DVP Tiranë që e kishin mbajtur të rrethuar zonën ku ishte lokalizuar vendndodhja e tij. Ky shtetas si pasojë e një konflikti të çastit, për motive të dobëta ka vrarë me armë zjarri ish –kunatën e tij shtetasen J. H., 34 vjeçe. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeve.
VERITAS.COM.AL