Është mbajtur zyrtarisht Konferenca e parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, duke nisur kështu rrugëtimin e Tiranës zyrtare në procesin e negociatave, me qëllim final anëtarësimin me të drejta të plota në union.
Ndër aspektet më kryesore të përmendura, ishte fakti se vendi është pjesë integrale e një sërë strukturash evropiane, duke dhënë kontribut me shumë rëndësi për vlerat evropiane.
Reformat rrënjësore mbi përafrimin e ligjit me vendet e Bashkimit Evropian, i njohur gjerësisht si “aquis”, do të jetë edhe detyra kryesore e Shqipërisë përgjatë gjithë rrugëtimit evropian.
E njëjtë është edhe hapja e kapitujve negociues, të cilët duhen plotësuar.
Bashkëpunimi rajonal gjithashtu, sipas strukturave të BE-së, duhet të jetë kryefjalë e çdo avancimi të vendit. Zhvillimi i vendit, duhet të vijojë me ritme të larta dhe të qëndrueshme, në çdo sferë të jetës, ku e para do të jetë ajo mbi sistemin e drejtësisë.
Një arritje e ka quajtur ndërkaq përfaqësuesi i lartë i Unionit, Josep Borrell, hapjen e negociatave me Shqipërinë.
“E rëndësishme për Shqipërinë, për të gjithë rajonin dhe për Bashkimin Evropian kjo ditë”, tha Borrell gjatë konferencës.
Puna e rëndësishme e bërë gjatë gjithë kësaj kohe duhet të vijojë me të njëjtat ritme sipas tij, duke theksuar se të gjitha janë në benefit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Një aspekt me mjaft peshë që Borrell e përmendi gjatë fjalës së tij, ishte edhe zgjedhja e Shqipërisë dhe angazhimi në Këshillin e Sigurimit, ku ka një rol të zëshëm jo vetëm rajonal, por edhe ndërkombëtar, duke treguar qartësisht qasjen tërësisht pro-perëndimore të Tiranës.
Mbi të gjitha, ato marrin vlerë të shtuar, në një kohë shumë të paqëndrueshme gjeopolitike, kur Shqipëria është rreshtuar kah sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë pa hezituar dhe për këtë vendim, do të ketë ndihmën maksimale të unionit në përballimin e çdo pasoje të pas-luftës – qoftë konkrete me ekonominë, qoftë në aspektin diplomatik.
Një kujtesë e Borrell shkoi për sulmin kibernetik me të cilin Shqipëria u përball ditët e shkuara. Ky fakt, tregon se vendi po sulmohet nga kundërshtarët e Evropës dhe Perëndimit dhe Shqipëria, është pjesë e këtij perëndimi.
“Me padurim pres të punojmë për rrugën tuaj evropiane, për të plotësuar kuadrin e BE-së. Kemi nevojë për njëri-tjetrin, sepse jemi më të fortë bashkë”, e përmbylli Borrell fjalën e tij.