Era e fortë dhe reshjet e shiut kanë karakterizuar motin në 24 orët e fundit në të gjithë territorin e vendit.
Në qarkun e Shkodrës, i cili u zgjua ditën e djeshme më disa problematika të shkaktuara nga moti i keq, ku ndër to edhe dëmtimi i çatisë së spitalit të Pukës, këtë të premte situata paraqitet më e qetë.
Në përditësimin e fundit mbi motin në këtë qark, njoftohet se gjatë gjithë natës ka pasur erë të fortë dhe reshje shiu, që vijojnë edhe aktualisht.
“Në bashkinë Shkodër ka reshje me intensitet të mesëm dhe erë të fortë, por nuk raportohen probleme. Në bashkinë Malësi e Madhe vijojnë reshjet e shiut me intensitet të lartë të shoqëruar me erë të fortë, aktualisht tani nuk raportohen probleme. Nga strukturat e Bashkisë Vau Dejës informohemi se ka mungesë të energjisë elektrike në të gjitha fshatrat Njad Hajmel, Vig Mnele, Temal dhe Shllak mungon plotësisht energjia elektrike. Në Bashkinë Pukë vijon të ketë reshje shiu dhe erë e fortë, por deri në këto momente nuk raportohen probleme. Në territorin e bashkisë Fushë Arrëz raportohen shkarje gurësh dhe dherash në rrugë rurale.”
Sakaq edhe nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës Kanalizime në Lezhë bëhet me dije se nga reshjet e shiut prej rreth 10mm që kanë rënë gjatë 24 orëve nuk janë shkaktuar probleme në infrastrukturën e kullimit.