Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të hezitojnë që të përdorin sanksione dhe të dërgojnë mesazhe të forta për të korruptuarit dhe akterët destabilizues në Ballkan, ka thënë i dërguari special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për agjencinë malazeze të lajmeve Mina.

Escobar gjithashtu potencoi se liderët e Ballkanit Perëndimor duhet të punojnë për interesin e qytetarëve, në vend se të punojnë për interesat e tyre dhe të partive të tyre politike.

“Nuk do hezitojmë që të përdorim sanksione dhe mekanizma të tjerë për të dërguar mesazhe te destabilizuesit dhe tek të korruptuarit”, deklaroi Escobar.

Ai theksoi se politika aktuale veç se e ka minuar progresin në rajon dhe nuk ka bërë gjë sa i përket zhvillimit për qytetarët e Ballkanit.

“SHBA-të do jenë partnerë të atyre që janë konstruktivë dhe jo destruktivë në qasjen e tyre për të ardhmen e rajonit, që nënkupton anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO-n, duke shtuar këtu dinamizimin e ekonomisë”.

Escobar tha dhe se Ballkani është regjioni më rritjen më të shpejtë në Evropë, prandaj realizimi i potencialit ekonomik duhet të jetë prioritet i të gjitha shteteve”.

“Është shumë frustruese dhe kundërproduktive që politikanët dhe aktorë të tjerë janë duke u marrë me politika identiteti vetëm sa për të fituar poenë politike në dëm të progresit ekonomik dhe pajtimit”.

Ai shtoi se kjo është një taktikë e njohur në Ballkanin Perëndimor, ku liderët politik përdorin ndarjet historike, për të shkaktuar përçarje dhe rrjedhimisht bllokim të progresit.

“Në mënyrë që Mali i Zi të realizojë progres konkret në rrugën Euro-atlantike, liderët politik, shoqëria civile dhe të gjithë ata që besojnë në të ardhmen evropiane duhet të punojnë së bashku për të ndërtuar një kapital shoqëror”, deklaroi Escobar.

Ai potencoi se e ka besim personal që “Ballkani Perëndimor ka potencial të bëhet motor zhvillimi për Evropën”. Por, deklaroi se kjo nuk mund të bëhet pa lënë çështjet e identiteteve anash dhe të punuarit e përbashkët në aspekte konkretet që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve.