( FOTO: Arkiv)
Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka ka pritur në zyrë Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguar i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili po zhvillon vizitë dy ditore në vend.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhaçka u shpreh se me Escobar diskutoi mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale.
Xhaçka e siguroi Escobar përkushtimin e Shqipërisë për thellimin e partneritetit strategjik me SHBA dhe për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal.
“Takim i shkëlqyer me Zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguar i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Diskutuam gjerësisht mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet rajonale.
Mirënjohje për zv. Ndihmës Sekretarin e Shtetit Escobar për përfshirjen e tij personale dhe të SHBA në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. E sigurova atë për përkushtimin e Shqipërisë për thellimin e partneritetit strategjik me SHBA dhe për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal”, shkroi Xhaçka në Facebook.