Nga: Denis Toçilla
Ky është viti i dytë që gjatë pushimeve verore kam filluar të lexoj dhe me këtë rast arrita të masë sasinë e paditurisë sime!
Ishte pikërisht libri “Kronik në gur” i shkrimtarit Ismail Kadare. Mora të lexoj këtë libër. Ishte e vështirë të merrja iniciativën që të hap kapakët e këtij libri në fillim por ishte akoma më stërmundues fakti që t’i dilja në fund. Besomëni më zgjati më shumë se dy muaj!
E përfundova por nuk arrita të kuptoj asgjë, ndoshta sepse isha shumë i padijshëm apo ndoshta sepse e ndërpreva shumë herë leximin. E gjithsesi në vazhdim kuptova që leximi po më futej në gjak ashtu siç droga i futet të droguarit. Fillova të lexoj libra të mëdhenj e libra të thjeshtë, fillova të blej shumë libra më pas. Ndonëse në Kukës mungon libraria fillova t’i porosis librat nga Shkodra. Gjeta në rrjetin social të Instagram-it njëfarë “Librari Dituria”.
Më kujtohet që i shkruajta mesazh për të blerë nja dy libra dhe e pyeta se si mund t’i merrja. Nuk e njihja pronaren e librarisë dhe vazhdoj të mos e njoh akoma por e ndjeva që ishte një person i veçantë. E gjithsesi, kur filloi të më tregonte mënyrën se si mund t’i merrja librat, m’u shemb para syve e gjithë bota. Kur më tha që mund të t’i dërgoj me postë unë e pyeta: A më lejohet mua t’i marrë ngaqë jam akoma 16-të vjeç? Me idenë që nuk lejohet pa mbushur 18-të vjeç ashtu siç funksionon në bankë.
Mesazhi i saj nuk vonoi, më tha që nuk ishte në dijeni. Vendosa ta provoj njëherë po përjetova një ankth të tmerrshëm, nuk e dija a do të m’i dërgonte librat. Desha të bëj porosinë por më lajmëruan që ishin me pushime sepse ishte Bajram. U xhindosa ngaqë mendova që nuk duan të më shesin libra mua, nuk u thashë gjë dhe e lashë fare këtë muhabet. Vonoi një muaj biseda e radhës me librarinë, ndërsa mua inati nuk më kishte ikur akoma. Vendosa t’i shkruaj, patëm mosmarrëveshje e gjithsesi përfundimisht u dakortësuam që të më dërgoj librat. Sipas rregullave duhet të dërgoja një numër telefoni, emrin, mbiemrin dhe adresën. Problemi ishte tek adresa, a dërgonte porosi posta në Kukës? Posta Adex titullohej. Pasi arrita më në fund të gjej informacionin e duhur i dhashë adresën dhe e këshillova të ma dërgojnë në qytet sepse në fshat nuk funksiononte posta. Të nesërmen i emocionuar sikur po dilja në televizor mora fugonin dhe u nisa për në Kukës që të marrë librat. Sapo zbrita nga fugoni u nisa duke shpejtuar për tek posta Adex, adresën e kishte në rrugën e degës pranë policisë. Kur mbërrita përpara postës pashë që nuk ishte hapur akoma sepse ishte akoma herët. Prita ca minuta dhe më në fund u shfaq punonjësja e postës. U futa brenda, kërkova porosinë, i dhashë emrin dhe po prisja. Më tha që nuk kishte porosi me këtë emër ose të paktën nuk po e gjente dot në gjithë atë grumbull porosish. Ktheva shpinën që të ikja kur dëgjova fjalën “ e gjeta”. Se si mu duk kjo fjalë, aq madhështore më tingëlloi ashtu siç i duket një të burgosuri fjala je “i lirë”. U ktheva ta marrë, bëra pagesën dhe hapa menjëherë paketimin. Nuk më pritej, fillova të lexoj teksa ecja trotuarit. Edhe pse ishte nxehtë unë qëndrova jashtë duke lexuar. Dhe nga ai moment filloi lufta mes meje dhe familjes sime, një luftë që vazhdon akoma, ata që kundërshtojnë sepse unë po shpenzoj shumë para me libra dhe unë që rëndomë përgjigjem “drejt dijes”. Pikërisht pra duke lexuar më tej këtë vit ndër të tjera lexova disa vepra të Kadaresë dhe njërën nga ato vepra përsëri nuk e kuptova. Ishte romani “E penguara”, thashë ta rilexoj me vete por e lashë ngaqë mendova se kam romanin “Kronikë në gur” pa kuptuar ende. Ta provoj mendova rileximin e tij dhe nëse e kuptoj këtë herë, vitin tjetër do të rilexoj romanin “E penguara” sepse tanimë nuk kam kohë ngaqë erdhi shkolla.
Nga kjo kuptova se sa i padijshëm që isha dhe se sa më shumë që lexoj, zbuloj huqe të reja. Ndaj çdo herë që mbaroj së lexuari një libër gjithmonë i them vetes: Sa i padijshëm që jam!
Autori: Denis Toçilla/fb
04.09.2019
Novosej