Johnson ishte një nga aktivistët më të spikatur pro-Brexit në vitin 2016, por mbështetësit e tij besojnë se optimizmi i tij e bën njeriun e duhur për ta nxjerrë nga hendeku i Brexit. Mes këtyre mbështetësve është edhe Donald Trump
Shumë është folur për ngjashmëritë mes Johnson dhe Trump. Me ç’duket është një krahasim që Presidentit të Shteteve të Bashkuara i pëlqen. Të martën mbrëma, Trump tha, “Po e quajnë Trump-i britanik dhe njerëzit thonë që është gjë e mirë. Atë donin. Për atë kanë nevojë.”
Duke nënvlerësuar faktin që Johnson në fakt u zgjodh nga anëtarët e Partisë Konservatore (0.2% të popullsisë) dhe jo nga vendi në tërësi – dhe se Trump-i në të vërtetë nuk pëlqehet gjerësisht në Mbretërinë e Bashkuar – ky nuk është një krahasim që Johnson-it do t’i pëlqejë për disa arsye.
Por le të hedhim një vështrim mbi të dy:
Gjatë këtyre viteve Johnson ka thënë gjëra tepër kontroverse nëpër gazeta dhe në platformat publike: Ato më kryesoret theksojnë se ai ka thënë se gratë që mbajnë perçe islame duken “si kuti postare” si edhe ka përdorur fjalë raciste për të përshkruar njerëzit nga Komonuelthi Britanik.
Por kjo nuk shtrihet në të njëjtën lloj retorike anti-imigrante që e dëgjojmë kaq shpesh nga Trump. Ndërsa Johnson ka folur mjaft për kontrollin e imigracionit, ai është pro imigracionit, ashtu siç mund të pritet nga ish kryetari i bashkiksë së Londrës liberale, kozmopolitne.
Ashtu si edhe Trump, Johnson favorizon uljen e taksave për të pasurit. Por ndryshe nga Trump, ai nuk është mbrojtës ekonomik. Johnson beson se një nga përparësitë kryesore të Brexit është se ai do të hapë dyert e ekonomisë së Britanisë së Madhe në pjesën tjetër të botës.
Mënyra përfundimtare dhe ndoshta më e rëndësishme që këta dy burra ndryshojnë nga njëri-tjetri është se Johnson duhet të bashkojë vendin e tij. Nëse Johnson dëshiron suksesin e Brexit dhe pastaj të fitojë zgjedhjet e përgjithshme në një komb të ndarë si Britania, ai duhet të fitojë njerëz nga e gjithë spektri politik. Duke pasur parasysh se ai e ka dashur këtë punë që kur ishte fëmijë, nuk ka shumë gjasa që Johnson të përdorë gjuhën kombëtare përçarëse ashtu siç bën Trump.
Një arsye tjetër përse Johnson nuk do ta pëlqente krahasimin e Trump-it është se Trump është vërtet jopopullor në Britaninë e Madhe, sipas pothuajse të gjitha sondazheve. Pra, ndërsa Presidenti mund të mendojë se duke lavdëruar Borisin dhe duke e përshkruar atë si një mik, është një kompliment, kjo gjë mund t’i bëjë votuesit britanikë që janë tashmë të dyzuar për kryeministrin e tyre të ri akoma më të dyzuar.
Rreziku për Johnson është që mbështetësit më të fortë të Brexit besojnë se një marrëveshje tregtare me Amerikën mund të jetë mënyra më e mirë për të dëshmuar në botë se Brexit ishte një projekt suksesi. Prandaj, ideja që ai do të ketë një marrëdhënie të mirë me Presidentin, shihet në mesin e këtyre njerëzve si një gjë pozitive.
Pra, a është BorisJohnsonTrump-i britanik?
VERITAS.COM.AL/