( Andrea Kurti u ndalua nga forcat e Antiterrorit)
Andrea Kurti është ndaluar nga Antiterrori pasi ka kërcënuar me jetë Kryeministrin Edi Rama.
Burime të rezervuara nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se i riu nga Puka ka kërcënuar përmes rrjeteve sociale Kryeministrin Rama. Në lidhje me këtë rast, Policia e Shtetit nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar, por mësohet se
Kurtit i është sekuestruar telefoni celular përmes së cilit ka dërguar mesazhet kërcënuese në drejtim të numrit një të qeverisë.
Ndërkohë, punonjësit e Gardës së Republikës kanë shtuar masat e sigurisë ndaj Kryeministrit Rama, ndërsa kjo nuk është hera e parë që ai merr kërcënime.
Më 29 Nëntor të 2014-s, Policia e Tiranës vuri në pranga avokatin Bashkim Hoxha që i dërgoi në atë kohë disa mesazhe ofenduese dhe kërcënuese kreut të qeverisë.
Edi Rama është kërcënur edhe kur ka qenë kreu i opozitës. Pas protestës së 21 Janarit në vitin 2011, policia arrestoi shtetasin Luan Rami, pasi kërcënoi liderin e opozitës me vdekje pasi iu dogj makina gjatë protestës.
VERITAS.COM.AL/