Mjeku infeksionit, Pëllumb Pipero ka reaguar për rastin e 61-vjeçarit të prekur me COVID-19, i cili tashmë është në vdekje klinike. Pipero sqaroi se 61-vjeçari ka bërë vdekje klinike, por fatmirësisht është rikthyer në jetë. “Gjendja e tij është e rëndë”, thekson Pipero.
“Shërbimi në Sëmundjet Infektive është shumë dinamike sa i takon shtrimeve të rasteve të reja.
Tashmë kemi më shumë se 40 të shtruar në Spitalin e Sëmundjeve të Infektivit. Secili nga ato ka problematikat e tij. Kemi raste që janë relativisht mirë që shpresojmë të dalim. Kemi raste të rënda, kemi raste shumë të rënda sikundër janë pacientët e shtruar në repartin e terapisë intensive.
Njëri nga rastet sot në mëngjes ka bërë vdekje klinike, vdekje që zgjati relativisht gjatë, por pa e humbur shpresën për ta rikthyer në jetë. Fatmirësisht u rikthye në jetë, por vazhdon të jetë ende rëndë. Në këtë lloj dinamike të zhvillimit të pandemisë dhe të rasteve të shtuara tek ne, i them të gjithë qytetarëve të jenë të duruar dhe nëse kanë nevojë të telefonojnë shërbimin shëndetësor 127”, deklaroi Pipero.