Një valë e nxehtë e rrezikshme pritet të shënojë kulmin në Europë sot, duke thyer gjithë rekordet e vapës në gjithë kontinentin dhe duke vënë në rrezik jetët e njerëzve.
Në Paris temperaturat pritet të shkojnë 42 °C, një rekord që thyen atë të 70 viteve më parë (40.4 °C), dhe Britania përballet me ditën e saj më të nxehtë duke thyer rekordin prej 38.5 °C në vitin 2004.
Philippe Villeneuve, kryearkitekti i Notre Dame, tha se është shumë i shqetësuar për faktin se tavani i harkuar i katedrales, i cili është dëmtuar më parë nga zjarri, mund të shembet plotësisht nga nxehtësia.
Gjermania, Luksemburgu dhe Holanda kanë shënuar rekordin e temperaturave të nxehta ditën e mërkurë dhe pritet të thyhen sërish sot, ndërsa meteorologët e Belgjikës duhet të rindërtojnë hartat e temperaturave të larta që të përfshijnë temperaturat që shkojnë mbi 40 °C.
Trenat në Britani dhe Francë kanë ngadalësuar ritmin e tyre për shkak të motit ekstrem.
Një tren Eurostar për në Londër pësoi dëmtim në dalje të Brukselit për shkak të valës së nxehtë. 600 pasagjerët u kthyen në Bruksel.
Në Londër, policia është në kërkim të tri personave të cilët humbën në lumin Thames pasi shkuan për të notuar ndërsa në Gjermani që nga e marta janë mbytur tre persona.
Kjo valë e dytë e nxehtë është duke ngritur shqetësimet në Europë se aktiviteti njerëzor po e ngroh planetin me një ritëm të rrezikshëm.
Një studim nga Instituti Federal Zviceran i Teknologjisë tha se vala e nxehtë, vdekjeprurëse, disa-javore përgjatë Europës në vitin 2018, do të kishte qenë statistikisht e pamundur nëse nuk do të kishte ndryshime klimaterike.
VERITAS.COM.AL/