Kreu i Grupit të PD, Enkelejd Alibeaj ka bërë gati një platformë me 5 pika dhe 2 hapa për bashkimin e demokratëve, Në platformë thuhet se grupi i PD i bën thirrje anëtarëve të reflektojnë e të heqin dorë nga pozicionimet i përçarëse. Në platformë thuhet se anëtarët e Grupit të PD të përjashtuar apo pezulluar në 12 janar të kthehen në grup. Grupi i PD apelon shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes dhe fyerjes

Kujtojmë se pas nisjes së luftës së brendshme që nisi me pezullimin e Sali Berishës më 9 shtator erdhi edhe një vendim i Kryesisë që u konfirmua nga Këshilli Kombëtar i PD, që përjashtoi apo pezulloi edhe 9 të tjerë (u përjashtuan 4 deputetë, ndërsa 5 u pezulluan). Praktikisht Berisha me këtë propozim Berisha mbetet të jetë vetëm i pezulluar.

Deputetët e përjashtuar ose pezulluar përveç Sali Berishës (i cili u pezullua që më 9 shtator: 1. Flamur Noka; 2. Edmond Spaho; 3. Albana Vokshi; 4. Agron Shehaj; 5. Belind Këlliçi; 6. Edi Paloka; 7. Oerd Bylykbashi; 8. Tritan Shehu; 9. Luan Baci)

Pika e parë e këtij dokumenti të Alibeajt lidhet me denoncimin e gjuhës së urrejtjes nga të gjitha palët ndaj çdokujt në parti, në mënyrë që më pas të shkohet drejt bashkimit. Ndërkohë që kërkohet gjithashtu edhe ndërprerja e çdo procesi të njëanshëm të riorganizimit të partisë, të cilën e ka nisur sëfundmi Komisioni i Rithemelimit.

Alibeaj propozon që grupi Parlamentar ngre grupe pune për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.

PLATFROMË PARIMESH PËR BASHKIMIN E DEMOKRATËVE

Aplikimi i parimeve të mëposhtme në vlerësimin ne deputetëve të Grupit e Parlamentar të PD sjell ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të brendshëm dhe i hap rrugë bashkimit të demokratëve, që është interesi i vetëm politik dhe elektoral i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

1. Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga çdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve.

2. Anëtarët e Grupit Parlamentar të përjashtuar apo pezulluar nga grupi me vendim të Këshillit Kombëtar të datës 12 janar 2022, rikthehen në grup, si anëtar me të drejta të plota.

3. Anulohet çdo proces i njëanshëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, duke e shtyrë në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument. 4. Grupi Parlamentar ngre një grupi pune të përbashkët për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e bashkimit të partisë (nga baza në qendër). Grupi i Punës propozon rregullat dhe kalendarin e procesit, si dhe planin e detajuar të riorganizimit të strukturave të partisë nga poshtë-lart, të cilat miratohen në një mbledhje të posaçme të Grupit Parlamentar.

5. Grupi i Punës i ngritur nga Grupi Parlamentar përcakton strukturat zbatuese të këtij plani ribashkimi. Zbatimi i këtij plani administrohet tërësisht në qendër nga GPPD, kurse në nivel dege dhe ne nivel grupseksioni, realizohet nga grupe pune të përbashkëta të monitoruara nga GPPD. Detyrat e secilit grup, në nivel dege apo grupseksioni, realizohen sipas këtyre hapave konsekutivë:

Hapi 1: Certifikimi i anëtarsisë aktuale, dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga cdo shtresë e shoqërisë që ideologjikisht janë afër vlerave dhe programit të PD. Të përcaktohen kritere dhe procedurë e qartë e identifikimit dhe anëtarësimit.

Hapi 2: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege. Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel. Në raste mosmarrëveshjesh, cështja zgjidhet nga GPPD.