Pas skandaleve të fundit dhe akuzave për manipulim të zgjedhjeve, Gjykata Penale e Tiranës ka pezulluar sot Armand Dukën nga ushtrimi i detyrës së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Por, ndryshe nga pesë vendimet e mëparshme të gjykatave, të cilat kanë qenë të karakterit civil, vendimi i sotëm është penal dhe Armand Duka rrezikon të ndiqet penalisht. Kërkesën për masën e Pezullimit e ka bërë prokuroria e Tiranës. Duka akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.

Nga hetimet e deritanishme të prokurorit Artan Gjermëni ka rezultuar se në disa nga dosjet e ekipeve ka një numër më të vogël lojtarësh të federuar krahasuar me atë të deklaruar në sistemin “Comet” sistem i cili është sistemi që merret për bazë në lidhje me gjenerimin e të dhënave zyrtare për numrin aktiv të lojtarëve të federuar.