Mësuesi Mark Shllaku ishte dënuar me pushkatim nga regjimi komunist, nën akuzën ‘për agjitacion dhe propagandë’ dhe për angazhim në një celulë të PSD-së.
Mark Shllaku ishte vetëm 31 vjeç kur mësoi se po shkonte drejt pushkatimit.
Në shtëpi, kishte lënë bashkëshorten Angje dhe dy bijat e saj. Juli, vajza e Mark Shllakut, ishte vetëm 8 vjeç.
Edhe pse ishte fëmijë i mitur, ajo u përball me ngjarjen e rëndë që po ndodhte në jetën e saj, vrasjen e të atit. Me nxitjen e të ëmës, Juli u detyrua t’i lutej kryetarit të degës që të mund ta lejonte të shihte babanë për herë të fundit. Pak ditë para se të pushkatohej, Juli dhe e ëma Angjia e takuan për pak minuta. Atë ditë, Marku i tha Angjes, se kur t’i merrte sendet e tij personale pas pushkatimit, atje do të gjente një letër.
“E dashtuna Angje e fëmijë!
Më kanë nda nga shokët për me më ekzekutu. Nuk po më dhimet jeta vetëm se ju po ma mërzisni shpirtin.
Mos u mërzit për mue vetëm mi rrit fëmijët me hir të zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borgj i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhtë dita, jepja për mue.
E dashtuna Angje!
Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mëndjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e smë lanë me dekë… banu e fortë. Marku!
Angje! Ne tu mbushtë mëndja me u martue e ke lejen teme por mos me më harrue. Por amanet fëmijët. Të kam dasht me shpirt deri tash në çast të mrame të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet mos u mërzit për mue, por shikjo fëmitë. Ju puth me mall për herë të fundit. Marku.
E dashtuna Angje!
Të lutëm me mi ba hallall vuajtet që të kam shkaktue.
Të lutem me mu interesue për eshtrat të mos më harrojsh për kurdoherë. Me mi marrë eshtrat e me mi çu në një varr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.
Hallall të gjithëve dhe ty të pares. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm.
(Publikuar nga Alfred Çapaliku, Regjisor)
Veritas.com.al/