Gjendja shëndetësore e ish kryeministrit Fatos Nano i cili ndodhet në spital prej 9 ditësh nuk është përmirësuar. Ish-kryeministri socialist, vazhdon të jetë i intubuar pasi atij i është rikthyer një problem kronik respirator që në gjuhën mjekësore, njihet me SPOK, sëmundje pulmonare obstruktive kronike që ngushton dhe dëmton rrugët ajrore të mushkërive.
Burime nga spitali për Report Tv bëjnë me dije se mjekët i kanë bërë një ndërhyrje kirurgjikale duke i vendosur një tub plastik, që po e ndihmon në furnizimin me oksigjen.
Të enjten e 24 gushtit 2023, Nano u shoqërua me ambulancë nga shtëpia e tij për në spital pasi kishte pasur probleme me frymëmarrjen. Ish kryeministri ka pasur probleme me shëndetin edhe dy vjet më parë.
Fatos Nano u bë një prej personazhëve më të rëndësishëm të Shqipërisë pluraliste. Nano ka qenë katër herë kryeministër i vendit, i dyti në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar pas Mehmet Shehut. Më konkretisht, në qeverinë që përgatiti zgjedhjet pluraliste të vitit 1991, në qeverinë e fituar nga Partia e Punës për tre muaj më 1992, në qeverinë e vitit 1997 dhe në qeverinë e vitit 2002 deri në 2005-ën. Nano ka qenë kryetar i PS-së për 13 vjet. Ka dhënë dorëheqjen tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i Partisë Socialiste, duke themeluar “institucionin” e dorëheqjes në Shqipëri, por edhe duke vënë një rekord në këtë fushë.