Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, ishte e ftuar në “Ditari” i A2CNN ku komentoi zhvillimet e fundit politike dhe votimin e buxhetit 2024 mes tensioneve dhe tymit të flakadanëve të ndezur nga deputetët e opozitës në Parlament.

Në gjykimin e saj, aksioni opozitar nga disa deputetë që ndjekin Sali Berishën është i dhunshëm.

Disa njerëz e kanë humbur arsyen pse janë në Parlament dhe për çfarë duhet të shërbejë qenia e tyre në Parlament dhe ndjekin Berishën”, tha Felaj.

Lidhur me mënyrën se si Garda e Republikës ka reaguar përkundrejt veprimeve të deputetëve demokratë, Felaj tha se oficerët kanë qenë të përmbajtur duke zbatuar rregulloren.

Ajo madje shkoi më tej duke zbuluar se në një nga seancat plenare, ish-ministri i Brendshëm Flamur Noka ka kërcënuar me jetë një prej punonjësve të Gardës dhe fëmijët e tij.

Siguroj që Garda është gjithmonë në sallë për rendin dhe sigurinë. Ligji i Gardës e detyron që të bëjë këtë detyrë. Të sigurojë mjediset e Kuvendit të Shqipërisë dhe institucioneve të tjera kur ato cenohen nga veprime të dhunshme. Këtë ka bërë Garda duke u përmbajtur natyrisht në kryerjen e detyrës, pasi nuk është e thjeshtë të jesh proporcional ndaj veprimeve që bëjnë disa deputetë të opozitës. Nuk e di a e keni ndjekur sesi Flamur Noka kërcënon me jetë një nga anëtarët e Gardës. Kërcënon atë me jetë dhe fëmijët e tij. Punonjës janë goditur dhe janë kërcënuar me jetë në sallën e Kuvendit. Kjo nuk është me Partinë Socialiste, por është me punonjësit. Këto lloj sjelljesh ligji penal i penalizon.”/ a2cnn