Kryeministri Edi Rama ndodhet në fshatin Daullas në Fier bashkë me përfaqësuesit e kompanisë turke YDA Grupo që kanë marrë përsipër punën e ndërtimit të spitalit rajonal në Fier.
“Do të fillojmë nesër duhet të kryqëzojmë gishtat dhe t’ia dalim. Ne e dimë shumë mirë marrëdhënien e Shqipërisë dhe Turqisë. Projekti kushton 60- 70 milionë euro, në kulmin e punës do të ketë 1 mijë deri në 1200 punonjës që do të punonjë 3 turne, 24 orë në 24. Do të ketë edhe punonjës shqiptarë, 20-30% e tyre do të jenë shqiptarë. Disa prej produkteve do të jenë shqiptare dhe një pjesë do të vijë nga Turqia“, tha ai.
Kujtojmë se pronarët e tokës ku do të ndërtohet spitali i Fierit kundërshtuan çmimin shitjes së tokës prej 260 lekësh për metër katror edhe pas ndërhyrjes nga kryebashkiaku Armando Subashi.
Lidhur me këtë, kryeministri tha ditën e djeshme se autoritetet duhet të bisedonin me pronarët dhe sa më shpejt të mbylleshin dokumentet për shkak se punimit nisin këtë javë.
Ai tha se spitali do të jetë publik dhe pronarëve u ofrua që të gjithë banorëve të zonës në pjesën tjetër të tokës do t’i jepen leje për të ndërtuar njësi shërbimi për të gjithë ata që do vizitojnë këtë spital.
Presidenti i Turqisë, Recep Taypp Erdogan i premtoi kryeministrit Edi Rama gjatë vizitës së tij në Ankara, se më 7 prill spitali rajonal i Fierit do të jetë gati.
Më 9 janar, Rama shkoi në Fier për të caktuar vendin ku do të hidhen themelet e spitalit të ri, ku tha se për një periudhe kohe te pacaktuar, spitali i Fierit do të administrohet nga një staf turk e me pas kompetencat do i kalohen drejtuesve shqiptarë.
VERITAS.COM.AL