Edhe pse afati ligjor për mbylljen e transmetimeve analoge televizive për qarkun e Tiranës dhe Durrësit ka përfunduar, disa subjekte nuk i kanë fikur antenat.

Autoriteti i Mediave Audiovizeve thotë që kjo nuk është një situatë e panjohur, pasi dhe në qarqet një, ky proces është bërë më parë ka pasur një problematikë të tillë. Gentian Sala kryetar i AMA-s deklaron se nuk ka kthim prapa dhe i bën apel televizioneve që të zbatojnë ligjin.

“Unë dua të bëj të ditur që digjitalizimi nuk ka më kthim prapa, televizionet kanë bërë investime të jashtëzakonshme, qytetarët kanë benefite të jashtë zakonshme, janë 38 kanale pa pagesë përveç atyre që ofrojnë platformat, unë do ju bëja thirrje televizioneve që të respektojnë ligjin dhe sa më parë ato që kanë ngelur të mbyllin transmetimet analoge”, shprehet kryetar i AMA-s, Gentian Sala.

Zoti Sala thotë se nuk do të ketë nevojë për ndërhyrje të ashpra që të fiken antenat nga televizionet që vazhdojnë të transmetojnë në analog në Tiranë dhe Durrës.

“Unë të paktën personalisht këto 5 vite jam mësuar që nëpërmjet komunikimit zgjidhjen çështjet që të gjithë televizionet dhe besoj që nuk do jetë nevoja e zbatimit të ligjit në pikë në nen dhe në frymë”, tha Sala.

Në Tiranë dhe Durrës gjendet përqendrimi më i madh i popullsisë së vendit. Sipas AMA-s një pjesë e vogël e familjeve nuk janë pajisur me dekoder, por megjithatë procesi i digjitalizimit nuk do ndalet.

“Jo të gjithë qytetarët janë pajisur me dekodera është një numër i vogël qytetarësh që nuk janë pajisur me dekodera, por strategjia e thotë qartë nëse të gjithë ose një pjesë e vogël ka ngelur pa dekodera atëherë digjitalizimi duhet të mbyllet, pra si kuadër ligjor jemi shumë të saktë dekodera në treg ka”, shton Sala.

Pas Tiranës dhe Durrësit radhën e ka Vlora për të mbyllur procesin e digjitalizimit.

Veritas.com.al/