Skënderbeu kualifikohet në fazën e grupeve të Europa League për herë të dytë në historinë e tij.
90 minutëshi i kthimit të ndeshjes me Dinamo e Zagrebit, në stadiumin Elbasan Arena u mbyll me shifrat 0-0, rezultat që lë jashtë kroatët dhe mban të paktën edhe disa muaj, flamurin shqiptar në futbollin kontinental.
Latifi ishte autor i një prove fantastike pasi me lojën e tij futi jo pak në panik prapavijën e Dinamos ndërsa Soue dhe Radas kishin shanset e tyre për t’i dhënë epërsinë Skënderbeut.
Në fraksionin e dytë korçarët u tërhoqën disi dhe rrezikuan ta pësonin me Sudanin. Kartoni i dytë i verdhë për Nimagan në të 78’ e komplikoi akoma edhe më tepër situatën për “Ujqërit e Dëborës”, por fatmirësisht kroatët dështuan në përpjekjet e tyre ndërsa e gjithë ndeshja u mbyll në barazim, duke kualifikuar Skënderbeun.
Kështu dy vjet nga protagonizmi në grupet e Europa League, korçarët e bëjnë këtë sërish duke u konfirmuar si skuadra më e mirë shqiptare në dekadën e fundit. Ky sukses fuqizon Ujqërit edhe nga ana financiare pasi çeku i UEFA-s do të kalojë 3.3 milionë Eurot, të destinuar të shtohen për çdo fitore ose barazim potencial në të ardhmen.