Ekonomia shqiptare i ka përballuar tepër mirë goditjet e njëpasnjëshme.

Ka qenë ky përfundimi i dhënë nga shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Yan Sun, gjatë një konference të përbashkët me ministren e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, dhe Guvernatori i Bankës, Gent Sejko.

Sun në fjalën e saj, theksoi se pavarësisht masave rritja parashikohet të ngadalësohet me 2 % gjatë vitit të ardhshëm.

Norma e inflacionit pritet të mbetet e lartë.

“Ne rekomandojmë që Qeveria të synojë konsolidimin, i bëjmë thirrje asaj të zbatojë strategjinë afatmesme dhe tu vijë në ndihmë shtresave në nevojë”.

Po ashtu, Sun u pyet edhe për propozimin e Qeverisë për amnistinë fiskale. Përgjigjja e saj mbeti e njëjtë si para disa muajve: Shqipëria nuk është gati për një amnisti të tillë.

Ulja e parashikimit u theksua edhe nga Ibrahimaj e cila shtoi se ndryshe nga sa ishte parashikuar rritja ekonomike në Shqipëri gjatë vitit të ardhshëm do të jetë me e ulët.

Konkretisht nga 3% ajo parashikohet të jetë 2.6%.

Ministrja u shpreh se Qeveria ka plane alternative për çdo skenar – qoftë edhe nëse ndodh një recesion total i ekonomive botërore.

“Goditja globale e shkaktuar nga lufta në Ukrainë do të ketë një ndikim në vendim tonë”, tha Ibrahimaj.

Sipas saj, fillimisht ekonomia e Shqipërisë e ka përballuar mirë këtë krizë krahasuar me vende të tjera.

“Rritja gjatë gjysmës së parë të vitit ishte 4.2 % . Punësimi u rrit në krahasim me vitin e kaluar”.

3.7 % është parashikimi i ministrisë së Financave për rritjen ekonomike të këtij viti.

Nga ana tjetër, Guvernatori Sejko u shpreh se vështirësitë mund të kalohen me masa koordiuese.

Ai shtoi se, inflacioni do të vijojë të mbetet në ritme të larta, dhe kthimi i tij në objektiv do të realizohet në fillim të vitit 2024.

Sipas Sejkos, Banka e Shqipërisë dhe FMN-ja, qëndrojnë në të njëjtën linjë mendimesh.