Pas vrasjeve të ndodhura gjatë javës së kaluar, Policia e Shtetit ka nxjerrë në të gjithë vendin 86 pika kontrolli në vijim të zbatimit të detyrave të përcaktuara nga plani i masave për mbajtjen nën kontroll të situatës kriminale dhe rendit publik, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, kapjen e personave në kërkim, personave që mbajnë armë pa leje, atyre me tendencë në krimet kundër personit etj.

Në zbatim të planit operacional janë angazhuar të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë, forca e posaçme “Shqiponjat”, FNSH-ja, RENEA dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe strukturat e Policisë Kufitare.

Nga këto pika kontrolli gjatë 24 orëve të fundit ka rënë në pranga 22 shtetas, janë ndaluar 3 shtetas të shpallur në kërkim, janë proceduar penalisht 7 shtetas, si dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas.

Gjithashtu gjatë kontrolleve në banesa janë gjetur dhe sekuestuar 203 kg lëndë cannabis sativa në fshatin Zallë në Fushë-Krujë.

Sakaq forcat blu kanë bllokuar edhe 17 automjete për mungesë dokumentacioni.

Po ashtu në Elbasan dhe Korrcë janë arrestuar dy persona pasi po bënin transportin e paligjshëm të 11 klandestinëve.

Ndërkohë aksionët e policisë janë duke vijuar në të gjithë vendin.(TCH)

VERITAS.COM.AL/