Nga: IVANA BZGANOVIC, Associated Press

Forcat kineze të sigurisë performojnë gjatë një stërvitje të përbashkët anti-terroriste në fabrikën e çelikut Zelezara,në qytetin e Smederevos, 45 kilometra në lindje të Beogradit, Serbi, të enjten, 28 nëntor 2019. Forcat e sigurisë serbe dhe kineze po mbajnë një stërvitje të përbashkët anti-terroriste në vendin e Ballkanit në shenjë të një ndikimi në rritje të Pekinit në rajonin e paqëndrueshëm. (Foto nga AP / Darko Vojinovic)

SMEDEREVO, Serbi (AP) – Forcat serbe dhe kineze të sigurisë mbajtën stërvitje të përbashkëta antiterrori në vendin ballkanik të enjten në shenjë të ndikimit në rritje të Pekinit në rajonin e paqëndrueshëm.

Stërvitja, e mbajtur në një fabrikë çeliku në pronësi të Kinës pranë Beogradit, përfshinte trupa speciale policie nga të dy vendet dhe është pjesë e një marrëveshje sigurie të nënshkruar midis dy vendeve në fillim të këtij viti.

Besohet se ishte stërvitja e parë e tillë që paraqiste forcat kineze SWAT në një vend Evropian.

“Ne po mësojmë nga ata që janë më të mëdhenj, më të fortë, të cilët kanë eksperienca të ndryshme,” tha Ministri i Brendshëm serb Nebojsa Stefanoviç. “Ne duam të përparojmë dhe une pres që së shpejti do të shkëmbejmë përvoja të tilla në Kinë.”

Marrëveshja e sigurisë me Kinën përfshin gjithashtu patrullime të përbashkëta policie në tre qytete serbe, zyrtarisht për të ndihmuar numrin në rritje të turistëve kinezë që vizitojnë vendin, dhe instalimin e qindra kamerave të njohjes së fytyrës të prodhuara nga Huawei në të gjithë kryeqytetin serb.

Shtetet e Bashkuara pohojnë se gjigandi kinez i telekomunikacionit dhe teknologjisë paraqet një rrezik të sigurisë kombëtare për shkak të lidhjeve të tij me qeverinë e Pekinit, një pretendim që Huawei e ka mohuar vazhdimisht.

Edhe pse zyrtarisht po kërkon anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia gjithnjë e më shumë po kthehet drejt Rusisë dhe Kinës. Dy fuqitë e mëdha mbështesin pretendimin e Serbisë mbi ish-provincën e saj të Kosovës që shpalli pavarësinë në 2008.

Kina ka investuar miliarda dollarë në Serbi, si pjesë e projektit të saj global te Rrugës se Mëndafshit. Rusia ka forcuar ushtrinë e Serbisë me aeroplanë lufte, tanke dhe armë të tjera, duke ngritur shqetësime në Perëndim dhe në rajon, që ishte në luftë në vitet 1990.

Veritas.com.al/