SHKUP-Në Maqedoninë e Veriut po mbahet Forumi i Parë Ekonomik. Mes pjesëmarrësve në Forum është edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, eurokomisioneri për zgjerim, Oliver Varheji, zëvendëskryeministrat e Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov dhe Fatmir Bytyqi, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, ministri i Mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini, ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiç, guvernatorja e Bankës Qëndrore Anita Angellovska Bezhovska, ministrja e Financave të Shqipërisë, Anila Denaj, Ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Greqisë dhe Polonisë në Maqedoninë e Veriut dhe udhëheqës të institucioneve të tjera financiare si brenda dhe jashtë vendit.

Forumi me titull: “Një agim i ri: hedhja e themeleve për stabilitetin dhe prosperitetin”, ka filluar me fjalimin e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev i cili ka theksuar edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në përballimin e sfidave me të cilat përballet Ballkani Perëndimor.

“Ndarjet në Ballkanin Perëndimor nuk na çojnë askund. Në saj të bashkëpunimit me Greqinë, ne arritëm të integrohemi në NATO. Edhe për integrimin evropian jemi gati për të ecur para, pasi kemi siguruar mbështetjen e 26 vendeve anëtare nga 27 vende në total. Ne kemi siguruar mbështetjen e Greqisë në rrugën tonë të integrimit”, tha Zaev.

Ndërkohë që ka theksuar se thelbi i këtij forumi është rritja e investitorëve në Maqedoninë e Veriut.

“Duam të nxisim të gjithë investitorët , të sjellin fondet e tyre në Maqedoninë e Veriut.  Ekonomia ka arritur një rritje ekonomike, në raport me vitin e kaluar. Investimet në këto zonë do të ndikojnë në rritjen ekonomike, do të ndihmojnë në rritjen e të punësuarve .

Zaev ka theksuar se në këtë fazë të re të zhvillimit ekonomik, më e nevojshme është një rritje e bashkëpunimit rajonal,  lëvizjes së mallrave dhe njerëzve.

“Është e nevojshme që të zgjerojmë korridoret e gjelbra mes vendeve të Ballkanit, gjë që e arritëm gjatë pandemisë.  Ne jemi në një fazë tejet të rëndësishme të bashkëpunimit me Greqinë dhe jemi në fazat e para të krijimit të korridoreve të gjelbra”, theksoi Zaev.

Në mesditën e sotme , kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një intervistë me moderatoren Alexia Tasouli. Së bashku me kryeministrin pjesë e këtij samiti do të jetë edhe ministrja e Ekonomisë dhe Financës Anila Denaj. Sipas agjendës, në Forum do të ketë edhe një fjalë përshëndetëse nga Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim në Bashkimin Europian, Oliver Verhelyi.