Rrugët e Shqipërisë janë përgjakur sërish këtë të dielë, në një aksident tragjik ku babai bashkë me dy fëmijët e tij të mitur humbën jetën, ndërsa katër persona të tjerë janë në gjendje kritike për jetën.

Edmond Preka i njohur ndryshe dhe me emrin Mondi Gjergji dhe Rajan 8 muajsh dhe Ajsel 5 vjeç, ndërruan jetë në aksidentin rrugor të ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin Shkodër-Velipojë.

Mjeti tip ‘Alfa Romeo’ me të cilin po udhëtonte Edmond Preka bashë me bashkëshorten dhe 3 fëmijët u përplas me një mjet tip ‘Fuoristradë’, Brenda të cilit ishin Sokol Mullia dhe Andrea Gjergji.

Përplasja ka qenë e fortë, dhe si pasojë, të shtatë pasagjerët përfunduan në spital me urgjencë në gjendje kritike për jetën. Por fatkeqësisht, babai dhe dy fëmijët e tij nuk arritën t’i mbijetonin plagëve të marra duke ndërruar jetë.

Ndërkohë që Bashkëshortja Evisa Preka dhe fëmija i tretë, vajza 10-vjeçare ndodhen në gjendje të rëndë për jetën. Të plagosur po ashtu janë edhe Sokol Mullia dhe Andrea Gjergji që udhëtonin me ‘Fuoristradë’.

Policia ka nisur hetimet për ngjarjen tragjike, shkaqet e së cilës mbeten ende të paqarta.

Veritas.com.al/