Territori i Shqipërisë është parashikuar që të dminohet nga moti shumë i ftohte, menjëherë me fillimin e javës që vjen. Priten temperatura deri minus 6 C.
Gjithë paralajmërimi vjen nga fqinjët që po vuajnë në një mot të egër. Pasi Greqia humbi jetën e 16 qytetarëve, tani Italia njofton për shira dhe erëra të forta.
Shira të rrëmbyer dhe erëra të forta janë përplasur mbi rajonet qendrore e ato jugore të Italisë.
Zona më e goditur nga moti i keq është Abruzzo me përmbytje përgjatë vijës bregdetare dhe rrëshqitje dheu në pjesë të tjera të saj. Një 27-vjeçar gjeti vdekjen në Marche prej një aksidenti rrugor, pasojë e shiut të dendur. Pasagjeri që udhëtonte me të në kamionçinën e dalë nga rruga, mbeti i plagosur e ndodhet në spital. Reshjet që nuk kanë të ndalur prej 24 orësh kanë shkaktuar probleme të mëdha në kufirin e provincave të Pescares dhe Teramos duke i zënë autoritetet lokale në befasi.
Edhe qarkullimi hekurudhor u ndërpre përkohësisht në linjën Adriatika. Shkollat janë mbyllur, sipas mediave vendase, në pothuajse të gjitha komunat bregdetare. Por emergjenca në Abruzzo nuk prek vetëm bregdetin; e vështirë paraqitet situata edhe në disa zona te brendshme te tij ku ka pasur rrëshqitje toke.
Më në veri, u regjistruan probleme me energjinë elektrike, pasojë e dëborës së fillim-javës. Erëra të forta që kapërcejnë 100 km në orë mundojnë Triesten prej ditësh tashmë. Me qindra ndërhyrje të skuadrave zjarrfikëse janë regjistruar atje që prej të premtes për incidente të ndryshme që përfshijnë pemët e rrëzuara apo stenda afishimi të shkulura nga era. Era e fortë e regjistruar ne Venecia fajësohet gjithashtu për rënien e një peme të madhe mbi një shtëpi, ku fatmirësisht nuk pati viktima, por shtatë banorët e saj kanë mbetur jashtë.