Nga: Federico Giuliani
Emmanuel Macron u detyrua, fjalë për fjalë, tia mbathte nga teatri për të shmangur linçimin e disa demonstruesve. Presidenti francez, gjithnjë në syrin e ciklonit për reformën e pensioneve që ai propozoi, dje në mbrëmje gjendej në Théatre des Bouffes du Nord për të shijuar premierën e pjesës “La Mouche” së bashku me bashkëshorten e tij Brigitte.
Në një moment, një grup prej tridhjetë personash u përpoqën të bastisin ndërtesën nga brenda. Policia largoi menjëherë protestuesit, por çifti presidencial u detyrua të ikte shpejt e shpejt për të shmangur më të keqen dhe kështu të vihej nen mbrojtje. Pas rreth dhjetë minutash, Macron u rishfaq në sallë, vetëm, dhe mbeti atje deri në fund të shfaqjes.
Përpjekja për bastisje dhe arratisja e presidentit
Për t’i sinjalizuar protestuesit për prezencën ne teatër te liderit francez ishte një gazetar, edhe ai i pranishëm midis publikut të asaj mbrëmjeje. Aha Bouhafs, militant dhe i arrestuar më parë disa herë nga forcat e rendit, shkroi një mesazh të qartë dhe pa ekuivok në Twitter:”Jam ulur tre rreshta pas presidentit. Ka militantë diku këtu përreth, iu kërkoj të gjithëve të vijnë. Diçka po përgatitet…mbrëmja rrezikon të jetë emocionante ”
Apeli nuk ka rënë në vesh të shurdhër. Pas pak protestuesit u mblodhën jashtë ndërtesës dhe u përpoqën të bënin bastisje. Në salle shpërtheu një përleshje : pesëmbëdhjetë persona u ngritën, midis te cilëve Macron dhe Brigitte.
Sipas asaj që tregon një dëshmitar për rrjetin Lci “Dikush nga siguria zbriti në drejtim të platesë, rreth pesëmbëdhjetë persona u ngritën dhe pamë se ishte Emmanuel dhe Brigitte Macron. Ata ikën duke vrapuar. Dhjetë minuta më vonë, Macron u kthye vetëm në sallë, dhe mbeti deri në fund të shfaqjes ”.
Akuzat e policisë dhe makina e blinduar
Militantët e lëvizjes kundër reformës së pensioneve mbetën jashtë nga Théatre des Bouffes du Nord për të demonstruar kundër Macron. Përpara hyrjes, e cila ndërkohë ishte e blinduar nga agjentët, demonstruesit thirrën parulla kërcënuese në adresë te kreut të Elizeut. Pasi përfundoi shfaqja, rreth orës 23, presidenti u kthye në Elize me një makinë të blinduar. Kolona e tij u përshëndet nga “buu” e turmës, që ndër të tjera ishte ngarkuar nga policia për të lejuar që t’i bënin vend automjetit dhe të linte zonën. Ndërkohë, gazetari Taha Bouhafs është arrestuar dhe akuzuar për provokim të trazirave.
Një koktej eksploziv
Në Francë klima po helmohet gjithnjë e më shumë. Padurimi kundrejt Macron rritet si njolla e vajit, ditë pas dite. Asgjë dhe askush nuk duket se është në gjendje të qetësojë zemërimin e njerëzve, ose të paktën një pjesë të mirë të tij. Shenjat e thyerjes me establishmentin janë të qarta. Gjithçka filloi me të ashtuquajturit jelekëverdhë, një lëvizje proteste e lindur nga poshtë, kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe kostos së lartë të jetesës dhe që nga nëntori i kaluar po e vë në konfusion Parisin dhe rrethinat e tij.
Tani,prej më shumë se një muaji, qeveria duhet të merret gjithashtu me lëvizjen kundër reformës së pensioneve të propozuar nga Macron, një projekt kompleks që synon të heqë qafe 42 skemat e pensioneve të veçanta që ekzistojnë në vend për t’i zëvendësuar ato me një sistem të vetëm bazuar mbi pika të vetme. Kokteji është eksploziv dhe mjafton një shkëndijë për të bërë gjithçka të shpërthejë. Në mes të gjithë kësaj, Elizeu ka bërë të ditur se Macron do të vazhdojë të shkojë rregullisht në teatër “siç e ka zakon” dhe se “do të sigurojë që veprimet e dhunshme politike të mos cenojnë lirinë e shprehjes, lirinë e artistëve dhe lirinë e krijimit “. Për problemet sociale, origjina e vërtetë e së keqes në Francën e sotme, as edhe një shenjë.
VERITAS.COM.AL/