Gjykata e Tiranës mesditën e 23 shkurtit ka dhënë vendimin për biznesmenin italian, Francesco Becchetti.
Ajo e ka dënuar atë me 17 vite burg, përkundër asaj që Prokuroria e Tiranës, kishte kërkuar 20 vite burg.
Akuzat që rëndojnë në drejtim të tij janë ato të pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës duke vjedhur.
Ndërkohë, Becchetti vijon të jetë në arrati dhe ndaj tij është caktuar një mandat arresti ndërkombëtar.
Gjykata ka dhënë vendimin dhe për bashkëpunëtorin e tij, Mauro De Renzi, i cili është dënuar me 16 vite burg – ndërsa dy të pandehur janë dënuar me shërbim prove.
Masa arrest me burg është dhënë edhe për nënën e biznesmenit Becchetti, Liljana Condomiti.
Ajo nga Gjykata e Tiranës u dënua me 8 vite heqje lirie.
Çështja “Agon Channel”
Më 5 prill 2013, një televizion i ri privat u themelua në tregun mediatik shqiptar.
Me një investim gjigant, ra në sy marrja e shumë personazheve mediatike në djepin e Agon Channel.
Zyrtarisht, transmetimet filluan në dhjetor 2014. Mirëpo, ato zgjatën pak. Më pak se një vit.
Në 2015-n, kryeministri Edi Rama ngriti akuzën e pastrimit të parave ndaj biznesmenit italian.
Asetet e tij financiare u ngrinë. Vazhdimësia e Agon Channel-it ishte e pamundur.
Agon Channel u konsiderua si një nga kanalet më të njohura televizive në vend, i cili po bënte çdo ditë hetime kundër qeverisë së Ramës, duke treguar skandale të ndryshme që përfshinin qeverinë shqiptare.
Çështja “Becchetti” vazhdon ende të procedohet në gjykatat ndërkombëtare.
Nga ai çast, Becchetti e çoi çështjen në Gjykatën Evropiane, më 21 tetor 2015. Kjo e fundit, më 24 prill 2019, e deklaroi fitues atë, duke vendosur një dëmshpërblim prej 110 milionë eurosh, si masë ndaj Shqipërisë.
Ndërkohë, Republika e Shqipërisë e kundërshtoi vendimin e arbitrazhit dhe refuzoi t’i paguante detyrimet.
Nëse do të marrë realisht efekt, kjo do të jetë gjoba më e madhe mbi shtetin shqiptar.
Becchetti, Shqipëria dhe gjyqet ndërkombëtare
Shqipëria dhe Francesco Becchetti janë bashkërendës të një historiku gjyqesh ndërkombëtare.
Beteja mes tyre u zhvillua pranë Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimit (ICSID).
Në vitin 2019, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), pjesë e Bankës Botërore, dënoi Shqipërinë me 110 milionë euro, pasi gjykoi se mbyllja e televizionit ishte “e motivuar politikisht”.
Siç raporton Avokatura e Shtetit në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, autoritetet shqiptare reaguan, duke kërkuar anulimin e vendimit të marrë dhe për atë arsye, ICSID në gusht 2019 pranoi ankesën, duke urdhëruar pezullimin e përkohshëm të ekzekutimit të vendimit të tij.
Shuma prej 110 milionë eurosh dëm, përfaqëson vlerën më të lartë me të cilën Shqipëria është dënuar nga një gjykatë arbitrazhi.
Sipërmarrësi italian Becchetti u përfaqësua nga dy firma të mëdha ligjore, Debevoise & Plimpton, me qendër në Nju Jork, dhe Quinn Emanuel Urquhart & Sullivan, me qendër në Paris dhe New York.
Lidhur me vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar, Avokatura e Shtetit nuk dispononte informacion të plotë lidhur me shumat e paguara nga institucionet që janë palë në gjykim.
Sakaq, vlerat e ekzekutuara dhe të paekzekutuara nga buxheti i shtetit nuk mund të konfirmohen nga ky institucion. Çka në vlerësimin e KLSH-së paraqet nevojë imediate për një ndryshim në qasje ndaj dispozitave ligjore lidhur me këto detyrime.
Në vitin 2015, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm hetoi Becchetti-n për evazion fiskal. Procesi arriti kulmin në qershor, kur Gjykata e Rrethit Tiranë urdhëroi ngrirjen e të gjitha pasurive të Becchetti-t, përfshirë mbylljen e Televizionit Agon Channel.
Çështja në Komision
“Nuk do të ketë një komision hetimor për çështjen ‘Becchetti’”.
Kjo ishte deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, nga foltorja e Kuvendit më 14 tetor.
Sipas tij, Gjykata nuk e ka mbyllur ende hetimin dhe kërkesa e Partisë Demokratike për të ngritur një komision hetimor nuk është legjitim.
Ai e ka akuzuar PD-në se ka publikuar paragrafë të vendimit të Gjykatës, i cili është konfidencial.
“Nuk ka asnjë njohje të publikut me këtë vendim, kjo konsiderohet vepër penale”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se publikimi i tyre është bërë me qëllim krijimin e panikut.
Rama ka siguruar publikun se Qeveria shqiptare nuk ka paguar asnjë para në drejtim të Francesco Becchetti-t.
“Në Tiranë ka ende një proces të hapur ku priten të thirren dëshmitarë. Si mundet opozita të mbrojë një të arratisur?”.