Frrok Çupi
Shumica kanë frikë, ndërsa mes tyre janë disa që po bekojnë e thonë: “o zot sa fat, sa fat që erdhi frika!”. Një paradoks.
…. Atje ku shkonim prej frikës së instaluar këtu, tani është frikë. Këtu në një nga vendet e frikës, mendojmë se jo. Një nënë shkodrane, dje në emsionin e mëngjesit të një tv., telefonoi moderatorin dhe i tha se “kam frikë për të afërmit që kam në Francë”.
Paradoksi tjetër.
Vetë fjala frikë vjen nga e folura e popujve në Lindjen e Mesme; pikërisht andej nga prezumohet se po vijnë edhe njerëzit që shaktojnë frikë dhe terror në Europë. Në gjuhët e Lindjes së Mesme thuhet “feer”, e pastaj në anglisht “fear”, e pastaj në frengjisht “peur”, në italisht “paura”, etj. Duket se fjala “fikë” është përhapur si mortajë, thuajse e njëjtë, nëpër rrugën nga vjen e ku rrezikon.
Tjetër çudi kjo…
Por paradoksi më i madh- kur frika kthehet në favor. Popujt dhe qytetërimet e përparuara as që mund ta mendojnë këtë. Por ja që ekziston në botën tjetër ku banditët politikë e shtypin kollaj popullin e tyre.
Të tillë ka në disa vende dhe shoqëri të prapambetura. Por pa shikoni çfarë ndodh me banditizmin politik shqiptar. Këtu gjëma e Parisit u prit si një shans e shpresë për më shumë pushtet. Tjetër gjë çfarë thonë e bëjnë sikur lotojnë. Por gjëma ra aq me bereqet sa ç’bie shiu i gushtit të thatë në të mbjellat e fshatit.
Shikoni çfarë bereqeti solli:
I pari:
Në vend të të mbjellave me misër në arat e fshatit, frika ra si shi mbi drogën dhe aferën e saj. Jo se e vaditi, por “frika e Francës” mbuloi trafikun e drogës që kryhet nga qeveria shqiptare dhe zyrtarë të lartë të saj. Sapo Ministri i Punëve të Brendshme ishte vënë në shenjestër të kërkesës për një dorëheqje të domosdoshme, bash në atë moment ra “frika e Francës”. Qeveria e kapi në ajër dhe e ktheu në ombrellë për Ministrin e akuzuar. Ministri u shfaq në media dhe paraqiti një mesazh të shkruar mga kushedi se kush, dhe tha se “ISIS po më kërcënon me jetë”. Dylgjeri, një nga gazetarët shpotitës të banalitetit, shkroi një mesazh ironik, duke pozuar si zëdhënës i ministrit. “Zoti ministër- shkruan gazetari- pa shikoje këtë mesazh, e kam shkruar mirë, apo do ndryhime?!”. Ishte i njëjtë me mesazhin “kërcënues”. Ministri shpiku një mesazh “frike” për të shpëtuar nga trafiku i drogës. Tani kundërshtarët, parlamentarët dhe mediat, kanë heshtur ndaj ministrit të kapur e të akuzuar në afera droge. Me siguri po mendojnë se “ministri ka frikë nga ISIS, lëre ma”.
“Ra Parisi”… e shpëtoi droga në Tiranë…
Bereqeti i dytë:
Parisi i sulmuar kthehet këtu në “provë zjarri”. Këtë gjë do të bënin edhe të tjerë në shoqëri të dobëta si në Korenë e Veriut, në Nepal, në Gauntanama, etj. Këtu në Tiranë, frikën e Parisit e mori në dorë vetë kryeministri. Ky, njësoj si absolutistët e tjerë primitivë në pushtet, e afroi rrezikun me vilën e tij rrëzë Dajtit. Papritur krijoji alibinë se “vila e kryemistrit u sulmua nga një dron!”, dhe ua hodhi përpara mediave, të cilat gati e shqyen lajmin sa nga uria aq edhe nga naiviteti. Sa u përhap lajmi, kryeministri nisi ta tëhollojë edhe më tej. E sajoji sikur disa helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes kishin fluturuar “gabimisht” mbi vilën e tij… Dhe pastaj se si forcat e Gardës së Republikës i kishin zmbrapsur helikopterët ushtarakë. Me “frikën e Parisit”, kryeministri “vrau njëmijë zogj”. Jo zogj trumcakë në malin e Dajtit, sigurisht, por fuqi të mëdha pushteti. Si fillim, vuri në zap Ushtrinë dhe ata që e drejtojnë; edhe një gabim duhet që ata të shkojnë në ferr (!). Së dyti, i dha një sinjal vetë NATO-s, se “ti NATO po më bën shantazh në familje”. Së treti, iu lëshoi sinjal turmave se “çdo rrezik nga bota ndalet te koka e kryeministrit tuaj”, dhe turmat u ngritën më këmbë.
Ja kështu e përdori “frikën e Parisit” kryeministri shqiptar, si një “provë zjarri” për besnikët dhe kundërshtarët e pushtetit të tij.
E treta, përbashkësia e qasjes se absolutistëve ndaj “frikës”.
Këta i quajnë miza popujt e tyre dhe luajnë me ta deri edhe në përdorimin e terrorit që vetë e kanë në zanat.
Dje, Presidenti i Rusisë, Putin, sulmoi botën e qytetëruar dhe tha se “ju e financoni ISIS”, dmth., frikën. Putin deklaroi se “ISIS financohet nga 40 shtete të botës”, duke mos dhënë emra, por duke lëshuar një bombë tjetër. “Bomba” e Putin ishte kjo: “Mes 40 shteteve që financojnë, ndodhen edhe shtete të grupit të G20”!.
Një prej autokratëve më të mëdhenj të botës, Putin, kërkon përfitime politike prej terrorit mbi Paris. Përfitimet janë, së pari, para popullit të vet rus, i cili gjunjëzohet edhe një herë më shumë para liderit që “ia mbledh botës”. Dhe së dyti, para liderëve të Perëndimit që iu kërkon favore për pushtet personal, ose i kërcënon kulisave se: “Ua nxora që ju financoni ISIS”.
Të gjithë liderët e frikës e përdorin frikën në favor të pushtetit personal. Ja do të shikoni se si do të përgjigjet qeveria shqiptare para hallexhinjve që i ka raskapitur pa punë e pa bukë. Do t’u thotë: “A nuk shikoni se bota është në luftë?! Çfarë kërkoni?”
Të vegjlit marrin frikën. Ndërsa liderët- favoret