Pas disa deklaratave kontroverse dhe dyshimeve se ‘do të mbetemi pa Hotel te Sheraton’, me sa duket kjo klimë ka marrë fund: Biznesmeni Shefqet Kastrai bie dakord për blerjen e ‘Sheraton’.

Pas largimit të papritur të kompanisë Sheraton, hoteli në Tiranë mbeti në pronësi të kompanisë M.A.Al-Kharafi & Sons W.L.L, e cila është aktive që nga viti 1992 në vendin tonë.

Sheraton prishi kontratën me Al Kharafi, kur kuvajtianët ende nuk e kishin gjetur blerësin e godinës. Ikja e kompanisë së njohur nga Shqipëria duket se ka që oferta të arrijë tek çmimi i volitshëm për shitjen e hotelit.

Mësohet se është Shefqet Kastrati ai që ka blerë Hotel Sheratonin nga kuvajtjanët për një shumë prej 30 milion eurosh, sipas Lpasi.al.

Shefqet Kastrati është një nga biznesmenët që qëndron rregullisht në majat e renditjes së njerëzve më të pasur në Shqipëri. Ai njihet kryesisht për biznesin e hidrokarbureve, të makinave, të sigurimit etj, të gjitha nën kompaninë mëmë ‘Kastrati Group’.

Së fundmi Kastrati po zgjeron investimin edhe në hotele dhe ndërtime, ku bie në sy investimi në Garden Residence Turdiu dhe ndërtimi i Albanian Tower- 24 kat, kulla tek rruga e Elbasanit ku u prish këndi i lojërave 7 Xhuxhat, një projekt në bashkëpunim me Balfin Group të Zamir Manes.

Po ashtu Shefqet Kastrati është njeriu pas konçensionit të Rrugës së Kombit përmes projektit Albanian Highway Concession.

Kuvajtianët e Mak Albania nuk mund të thuhet se po përjetojnë periudhën e tyre më të mirë. Humbjet e akumuluara në vite mendohet se arrijnë gati 11 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro. Kompania rezulton se ka shitur vazhdimisht pronat e saj, me vlerë shumë më të ulët se ajo e investimit fillestar.

Grupi Mak Albania ka shitur Hotel Resort që kishte në Golem tek Mali i Robit te grupi Hysenbelliu, për 1.8 milionë euro, me një humbje prej 2.5 milionë euro nga vlera kontabël.

Gjithashtu ka shitur Alfa Butrinti (hotel Butrinti në Sarandë), për 820 mijë euro, kur vlera fillestare e investimit kishte qenë mbi 7 milionë euro.

Veritas.com.al/