Zjarrfikësit në Shëngjin të Lezhës po luftojnë me vatrat e zjarrit, të cilat prej dy netësh vijojnë të djegin pa mëshirë kurorën e gjelbër në Shëngjin.
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në lidhje me këtë situatë, trupat e MZSH-së, pushteti vendor, Forcat e Armatosura në bashkëpunim edhe me banorët e zonës, po punojnë intensivisht për të mbajtur flakët nën kontroll. Sipas saj, edhe pse situata është e vështirë, asnjë prej banesave të zonës nuk është e rrezikuar.
Gjithashtu Forcat e Armatosura me mjete dhe me trupa nga Tirana, Shkodra dhe Lezha kanë zbarkuar prej dy ditësh në Shëngjin dhe vijojnë punën me ritme të larta deri në shuarjen përfundimtare të flakëve. Aktualisht janë të angazhuar në terren 200 efektivë nga strukturat e mësipërme.