Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoj, të premten pasdite është bërë shënjestër e një atentati me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:27 te Mbikalimi i Shkozetit.

Makina tip “Benz” e prokurorit është qëlluar me armë zjarri. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur Ndoj dhe dy persona të tjerë që udhëtonin me të në mjet.

Prokurori dhe dy të plagosurit e tjerë janë transportuar drejt spitalit të Durrësit për ndihmë mjekësore.

“Një nga tre të plagosurit është në gjendje më të rëndë” raportohet nga vendi i ngjarjes.

Prokurori Arjan Ndoj u vu në qendër të opinionit publik kohët e fundit  si i akuzuar  për lidhje me bandat kriminale.

UPDATED:

Detaje të reja dalin minutë pas minute për ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në orën 16:30 pranë Mbikalimit të Shkozetit, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagos prokurori i shumëpërfolur Arjan Ndoj.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për ‘News24’ se 1 person ka mbetur i vdekur gjatë atentatit.

Media raporton se tashmë Krimet e Rënda kanë marrë në dorë çështjen, pasi ka dyshime se ngjarja lidhet me detyrën e Ndojit. Policia tha se bëhej fjalë për një atentat të mirëorganizuar.

“Po hetohet për çështjen se ngjarja ka lidhje për shkak të detyrës së prokurorit. Nga hetimet e deritanishme flitet për një atentat, makina e prokurorit është qëlluar me armë zjarri. Dyshohet se bëhet fjalë për një person problematik rreth zonës së Sukthit, policia është vënë në ndjekje të tij. Ka qenë një anëtar i mirëorgnaizuar. Ndoji më herët ka bërë detyrën e avokatit dhe ka mbrojtur emra të njohur të krimit”, tha reporterja.

Veritas.com.al/